Trupat amerikane largohen nga Afganistani, talebanët festojnë me të shtëna armësh
Pentagoni konfirmon se forcat amerikane janë larguar nga Afganistani. Mediat raportojnë se është larguar edhe avioni i fundit nga Kabuli duke i dhënë kështu fund luftës 20-vjeçare në Afganistan.
Ndërkohë sipas BBC janë raportuar edhe të shtëna me armë zjarri, që tregojnë festën e talebaneve pas largimit amerikan.
Kreu i Komandës Qendrore, Gjenerali Kenneth McKenzie, njoftoi se fluturimi i fundit nga Kabuli “tani po pastron hapësirën ajrore mbi Afganistanin”. Ai u shpreh se së shpejti do të publikohen edhe pamjet e fluturimit të avionit të fundit.
“Tërheqja e sotme nënkupton fundin e komponentit ushtarak të evakuimit, por edhe fundin e misionit gati 20 -vjeçar që filloi në Afganistan menjëherë pas 11 shtatorit 2001” tha gjenerali McKenzie.
“Kostoja ishte 2461 ushtarë amerikanë dhe civilë të vrarë dhe më shumë se 20,000 të tjerë të plagosur. Ne e nderojmë sakrificën e tyre sot ndërsa kujtojmë arritjet e tyre heroike,” shtoi McKenzie.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



