Tubimi sot pasdite/ Ambasada e SHBA korrigjon njoftimin ku bëhej thirrje për të shmangur zonat ku do mbahet protesta, heq emrin e PD si organizatore
Ambasada amerikane në Tiranë ka korrigjuar reagimin e saj në uebsajtin zyrtar lidhur me një protestë të paralajmëruar këtë të mërkurë në orën 17:00 përpara Kryeministrisë kundër rritjes së çmimit të energjisë.

Në faqen e saj, ambasada i bëri thirrje qytetarëve amerikanë që jetojnë në Shqipëri të shmangnin zonën ku do të zhvillohej tubimi.
Ndërkohë apeli për kujdes niste me fjalinë se “Partia Demokratike e Shqipërisë ka njoftuar se do të mbajë një protestë pranë zyrës së Kryeministrit”.
Por në faqen zyrtare të ambasadës, mund të shihet që ky njoftim është përditësuar.
Fjalia ku përmendej se protesta e sotme ishte lajmëruar nga PD, është korrigjuar, duke e hequr emrin e Partisë Demokratike.
Kujtojmë që pak ditë më parë, në mbledhjen e grupit parlamentar, por edhe për mediat, kryedemokrati Lulzim Basha u shpreh se PD do të mbështesë dhe do të nxisë të gjitha format e reagimit popullor kundër rritjes së çmimit të energjisë.
Partia Demokratike e Shqipërisë ka njoftuar se do të mbajë një protestë pranë zyrës së Kryeministrit.
Qëllimi i deklaruar është kundër rritjes së kostos së energjisë elektrike në Shqipëri.
Kjo protestë mund të zhvendoset në zona të tjera në Tiranë, ose tubime të ngjashme mund të mbahen në zona të tjera të qytetit.
Kohëzgjatja e tubimit të pritshëm është e panjohur.
Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin çdo tubim të madh në qytet.
Ndërsa shumë organizime të mëdha publike mund të zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme.
Monitoroni mediat lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve vendore të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



