Turlia fetare e Kryeministrit dhe Presidenti haxhi
Mustafa Nano
Kur Edi Rama të largohet nga posti që mban (edhe sikur të ndodhë sot), ai do lërë si trashëgimi, përveç të tjerash, një Shqipëri të islamizuar si kurrë ndonjëherë më parë. Të islamizuar deri në pikën që të tjerët, jo myslimanët, ndihen si të huaj në vendin e tyre.
Islami e ka pushtuar mjedisin publik. Në fillim qaheshim vetëm nga ezani (ende nuk e kuptoj pse njerëz si unë duhet të jenë të detyruar ta dëgjojnë), por nën hundën, hyqmin e me aminin e Ramës kanë ndodhur gjëra të tjera. Janë ngritur xhami kudo, edhe atje ku s’ka fare (ose ka pak) myslimanë.
Isha në Përmet para dy javësh, ku numri i myslimanëve është jo më i madh se sa 20 vetë. Është ngritur një xhami, megjithatë.
Çfarë llastimi! Në të vërtetë, xhamia është ngritur kur numri i myslimanëve ishte zero. E nuk janë mjaftuar me kaq. Përmetarët janë të dënuar të dëgjojnë edhe ezanin. Edhe në Skraparin tim, ku të gjithë janë bektashinj, është e njëjta gjë. Në Kavajë, qytet tradicionalisht mysliman (nuk kam ide sa është numri i ndjekësve të Islamit sot; me shume gjasë është shumë më pak se gjysma e popullsisë), njerëzit janë të dënuar të dëgjojnë jo vetëm ezanin, por edhe predikimin e imamit. Altoparlantët e çojnë zërin e tij ditën e xhumanë në çdo skaj të qytetit. Të jetosh në Kavajë është si të jetosh në Xhedah të Arabisë Saudite.
Në Tiranë janë gjërat më ndryshe? Absolutisht, jo.
Kur punoja në televizionet e kinostudios, më duhej ta bëja regjistrimin e programit të premten dhe çdo herë, rreth drekës, dëgjoja hutbenë e imamit të një xhamie aty pranë. Kishin vendosur altoparlantë jashtë, dhe e dëgjonte gjithë lagjja. Nuk e di nëse vazhdon i njëjti avaz. Por s’ka pse jo. Kush do ta pengonte. Ky bojalliu ynë e ka mendjen veç te shfaqja e vet (si shfaqje e ka shndërruar qeverisjen: puth e bot andej, puth e bot këtej, nduk njërin e lëpiju tjetrit, vish poture një ditë e shallvare një tjetër; pupu, kam frikë ta shoh në TV).
Një herë në vit na mban edhe një fjalim për iftar, ku bën si profet mbi profetët: merr fraza nga Kurani, merr ca edhe nga Bibla, shton në fund edhe ca nga vetja, e turlia që del meriton vetëm një audiencë: familjen e tij fare të ngushtë, ku ai medemek është katolik, e shoqja medemek është myslimane, njëri djalë medemek ortodoks e tjetri i paracaktuar të bëhet çifut. Dhe në vend t’i vijë turp për këto fjalime, na i ka mbledhur në një libër!!!
Lidhur me Tiranën: Në fillim bënim për të madhe dhunën e ezanit, pastaj lutjen në sheshin Skënderbej që, pas ndërtimit të xhamisë së madhe mendohej se do dilte e panevojshme. Por jo. S’qe e thënë. Tani është pushtuar bulevardi.
Dhe në fund, “qershiza” mbi tortë: Presidenti i Republikës bëri haxhillëk. Shoh që disa e kanë marrë lehtë këtë gjest. “Ç’të keqe ka? Është besimtar,” thonë disa. Në fakt, nuk ka ndonjë të keqe. Po të ishte katolik, do shkonte në sheshin e Shën Pjetrit. Por unë ngre disa pyetje e një shqetësim.
Është mysliman Presidenti? Ç’lloj myslimani është? Është bektashi apo suni? Nëse është bërë suni, kur ka ndodhur? Janë gjëra që duhej t’i kishim ditur që përpara se të bëhej President, apo ajo? Pastaj, kush ia pagoi rrugën për në Mekë? Pse duhej të merrte kamera e gazetarë me vete? Pse duhej ta bënte lajm haxhillëkun e tij?
Ndërsa shqetësimi është: Ky zotëria mund të jetë në të drejtën e vet për të bërë haxhillëk, por puna është se ai do duhej të kishte menduar pak për një traditë të rëndësishme republikane e laike të presidencës shqiptare, të cilën me këtë gjest e ka dhunuar brutalisht. Ismail Qemali psh, i traditës myslimane sunite, do jetë kthyer përmbys në varr kur ka parë Bajramin të zhytur brenda thesit të bardhë të haxhillëkut.
Të gjitha këto (edhe Presidentin haxhi) i kemi peshqesh nga bojalliu ynë, i cili për vota do ishte i gatshëm të bënte shumë më tepër sesa islamizimin e Shqipërisë. I ka dhënë provat për këtë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



