Turqia lëshon urdhër-arrest për kryministrin Netanyahu
Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit shpalli të premten urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe 36 persona të tjerë, duke i akuzuar për gjenocid lidhur me operacionet ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës.
Mes personave të përfshirë në këto urdhra janë figura të larta shtetërore izraelite, përfshirë ministrin e Mbrojtjes Israel Katz, ministrin e Sigurisë Kombëtare Itamar Ben Gvir, ministrin e Kufijve dhe Sigurisë Eyal Zamir dhe komandantin e Forcave Detare David Saar Salama.
Hetimi përqendrohet në veprime që autoritetet turke i konsiderojnë si dhunë të sistematizuar kundër civilëve në Gaza. Prokuroria ka cituar incidente të caktuara, si sulmi ndaj Spitalit Al-Ahli Baptist më 17 tetor 2023 dhe dëmtimi i Spitalit Ebli Baptist më 21 tetor 2023, të cilat shkaktuan viktima civile.
Në dosje përfshihet edhe vrasja e punonjësve të organizatës humanitare “World Central Kitchen” më 1 prill 2024, gjatë misioneve të ndihmës. Akuzat lidhen me pretendime se forcat izraelite kanë goditur qëllimisht civilët dhe infrastrukturën, duke penguar ndihmën humanitare dhe qasjen në shërbime mjekësore.
Prokuroria përmend gjithashtu deklaratat e organizatës “Sumud Flotilla”, e cila kishte tentuar të dërgonte ndihma në Gaza përmes rrugëve detare. Hetimi nisi pas disa ankesave të paraqitura në gjykatat e Stambollit në tetor 2025 dhe u zhvillua në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë.
Sipas prokurorisë, urdhrat e arrestit janë lëshuar në përputhje me ligjin turk dhe përfshijnë veprime që konsiderohen krime kundër njerëzimit dhe kërkojnë hetim të mëtejshëm.
Turqia ka qenë një nga kritikët më të ashpër të ofensivës ushtarake të Izraelit në Gaza, e nisur pas sulmeve të Hamasit në jug të Izraelit në tetor 2023. Për shkak të këtij konflikti, qeveria turke ka pezulluar marrëdhëniet diplomatike dhe tregtare me Izraelin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



