U arrestua për pengmarrje, edhe “ushtari” i Ervis Martinajt
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tiranë, ku një 35-vjeçar është marrë peng nga 7 persona. Policia e Tiranës thotë se 7 personat, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e kanë marrë 35-vjeçarin peng dhe e kanë kanosur atë me qëllim për t’i marrë pasurinë.
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për 4 prej tyre, Tori (Hektor) Xhecuka, 36 vjeç, Aleksandër Osmani, 37 vjeç, Artan Pirraci, 50 vjeç, dhe Fredi Keta, 49 vjeç. Ndërkohë, për tre të tjerë është caktuar masa arrest në shtëpi, konkretisht për Naim Qarri, 52 vjeç, Sajmir Kolaveri, 42 vjeç dhe Adem Metkola, 46 vjeç.
Kush është “ushtari” i Ervis Martinajt, akuzat për atentate
Tori Xheçuka alias Hektor Xheçuka, një emër mjaft i njohur për drejtësinë, i përfshirë në atentate dhe tentativa për vrasje.
Ai njihet si “ushtar” i Ervis Martinajt, teksa për llogari të këtij të fundit ka planifikuar vrasjen e Durim Bamit, plan ky i dalë në pah nga hetimet pas “thyerjes” së aplikacionit SkyECC.
Por kush është Tori Xhecuka
36-vjeçari njihet si pjesë e grupit të Ervis Martinaj dhe dyshohet si vrasës me pagesë i përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale.
Ai është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme pas zbërthimit të bisedave në Sky ECC ku u lëshuan 50 urdhër arreste.
Komunikimet në aplikacionin Sky ECC zbuluan se ai kishte marrë përsipër rolin e organizatorit dhe ekzekutorit të të fortit të Niklës, Durim Bami për llogari të bosit të lojërave të fatit, Ervis Maritnaj, i cili është i zhdukur prej gati 2 vitesh.
Vrasja e Emiljano Boçit
Tori Xhecuka alias Hektor Xheçuka është një emër i njohur për botën e krimit pasi rezulton i përfshirë në vrasjen e Emiljano Boçit, ku mbeti i plagosur edhe shoku i këtij të fundit, ndërsa e dashura e viktimës që ndodhej në mjet i shpëtoi plumbave.
Viktima Emiljano Boci
Ngjarja ndodhi më 14 Janar të vitit 2018 në afërsi të Policisë Bashkiake dhe 36-vjeçari u arrestua si autor i dyshuar i krimit.
Hektor Xheçuka u akuzua për vrasjen me paramendim të Emiljano Boçit dhe vrasjen e mbetur në tentativë të Melvi Dishës, mik i viktimës, që mbeti i plagosur në atentatin e 14 janarit 2018 në Tiranë.
“Atentati, ku mbeti i vrarë Emiljano Boçi dhe u plagos shoku i tij Melvi Disha, pranë Policisë Bashkiake në Tiranë, dyshohet të jetë realizuar nga një vrasës me pagesë”, thanë burimet policore pas ngjarjes.
Emiljano Boçi, kishte vetëm 3 javë që ishte kthyer nga Gjermania ndërroi jetë në spital.
Ai dhe miku u tij Melvi Disha u qëlluan sapo kanë hipur në makinën tip “Range Rover”, me targa gjermane, ngjyrë e bardhë, sipas Policisë nga Hektor Xheçuka.
Si ndodhi pengmarrja
Katër të arrestuarit kanë marrë peng 35-vjeçarin, që sipas policisë e kanë kërcënuar duke i kërkuar para.
Lidhur me këtë ngjarje policia vuri në pranga katër persona të identifikuar si Tori Xhecuka alias Hektor Xheçuka, Aleksander Osmani, Artan Pirraci dhe Fredi Keta, pasi akuzohen se kanë marrë peng një 35-vjeçar me qëllim kërcënimin për t’i marrë para.
Ndërkohë në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” janë lënë: Naim Qarri, Sajmir Kolaveri dhe Adem Metkola.
“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë hequr lirinë një 35-vjeçari, dhe e kanë kanosur atë për dhënie pasurie”, njoftoi policia.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



