U arrestua sot nga SPAK, Pëllumb Gjoka ishte investitor strategjik i Ramës
Biznesmeni shkodran, Pëllumb Gjoka, i arrestuar mëngjesin e së enjtes me urdhër të SPAK, rezulton të ketë fituar statusin e investitorit strategjik me firmën e kryeministrit Edi Rama.
Në korrik të vitit 2021, Komiteti i Investimeve Strategjike miratoi statusin e investitorit për projektin “Silver Sand Resort”, me subjekt aplikues “Imperial Group”.
Kompania përfituese zotërohet në 56 përqind nga Pëllumb Gjoka dhe pjesa tjetër nga familjarët e tij, Kolë dhe Alida Gjoka. Partia Demokratike në opozitë e ka akuzuar shpesh publikisht Pëllumb Gjokën se është angazhuar për blerjen dhe sigurimin e votave në favor të Partisë Socialiste të Edi Ramës.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e akuzoi edhe para pak javësh Gjokën për blerje votash në favor të kandidatit socialist për kryetar të Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci.
Lidhjet e Gjokës me socialistët duket se i janë shpërblyer me miratimin e lejes së posaçme për ndërtimin e resortit në Velipojë.
Sipas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike, projekti i Pëllumb Gjokës llogaritet të kushtojë rreth 50 milionë euro dhe parashikon ndërtimin e dy strukturave hoteliere dhe një serie apartamentesh për shitje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



