U ftua dhe Shqipëria, zbulohet kleçka e Bordit të Paqes
Shtëpia e Bardhë ka sqaruar se statusi i anëtarësimit të përhershëm në Bordin e Paqes lidhet me kontributin financiar, por nuk përbën një detyrim për t’u bashkuar. Sipas reagimit zyrtar për A2 CNN, dokumenti themeltar i Bordit parashikon që vetëm vendet që kontribuojnë me 1 miliard dollarë përfitojnë statusin e anëtarit të përhershëm, ndërsa shtetet që nuk japin këtë shumë përfshihen me mandat trevjeçar.
Në deklaratë theksohet se nuk ekziston asnjë kërkesë apo kusht financiar për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, por thjesht një dallim në kohëzgjatjen dhe nivelin e përfaqësimit. Shtëpia e Bardhë nënvizon se Bordi i Paqes ka një mision të gjerë dhe ambicioz, i fokusuar në rindërtimin e plotë të Gazës, ndërsa fondet e mbledhura do të përdoren drejtpërdrejt për realizimin e këtij qëllimi.
Sipas autoriteteve amerikane, BOP do të veprojë si një strukturë udhëheqëse, duke garantuar që pothuajse çdo dollar i grumbulluar të shkojë drejtpërdrejt për zbatimin e mandatit të tij, pa shpenzime të panevojshme administrative apo paga të fryra, siç ndodh shpesh me organizata të tjera ndërkombëtare.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka bërë publik këtë mëngjes ftesën e marrë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për përfshirjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën. Trump e ka ftuar Ramën që Shqipëria të bashkohet si shtet anëtar themelues dhe të bëhet palë në Statutin e Bordit.
Presidenti amerikan shprehet se kjo nismë synon të bashkojë një grup vendesh të dalluara, të gatshme për të marrë mbi supe përgjegjësinë e ndërtimit të një paqeje të qëndrueshme. Sipas tij, ky është një nder që u takon vetëm atyre shteteve që janë të përgatitura të udhëheqin përmes shembullit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



