U tërhoq zvarrë, shpërthen protestuesi: Ka 35 vite që na mbajnë peng
Në një intervistë për emisionin “Breaking”, Eduart Subashi, protestuesi që u tërhoq zvarrë nga rojet private gjatë përplasjes në Zvërnec, ka paraqitur një dokument që sipas tij dëshmon përfitimin e tokës në bazë të ligjit 7501 në vitin 1991. Megjithatë, ai theksoi se kjo pronë nuk ka mundur të regjistrohet asnjëherë në Kadastër.
“Kemi shkuar dhe na thonin që nuk ka dalë ligji për Zvërnecin. Ne për 35 vite nuk kemi mundur ta kalojmë në pronësi tokën. Jemi të gjithë njësoj në fshat. Kemi certifikata pronësie dhe nuk bëjmë dot asgjë për pronat tona”, tha ai.
Megjithatë, posedimi i një AMTP-je (Akti i Marrjes së Tokës në Përdorim) nuk garanton automatikisht të drejtën e plotë të pronësisë. Në vitin 2018, Ministria e Drejtësisë vendosi pezullimin e procesit të dhënies së titujve përfundimtarë të pronësisë për tokat e ndara sipas ligjit 7501 në zonat bregdetare. Ky vendim u mor për shkak të problematikave të shumta që lidhen me parcelizimin e tokave dhe rastet e përfitimit përmes dokumenteve të falsifikuara.
Dy vite më pas, Kuvendi miratoi ligjin për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë, ku përmes dispozitave dhe akteve nënligjore përcaktohen qartë rastet kur një pronë e përfituar me AMTP nuk mund të regjistrohet në Kadastër.
Sipas këtyre akteve, sipërfaqet që kanë ndryshuar kategorinë nga tokë bujqësore në truall ndërtimi, infrastrukturë publike, rërë bregdetare, plazh apo sipërfaqe ujore nuk mund të pajisen me tituj pronësie.
Ndërkohë, në rastet kur toka vazhdon të figurojë si tokë bujqësore, AMTP-ja mund të regjistrohet dhe pronari përfiton dokumentin përfundimtar të pronësisë. Kjo situatë ka krijuar paqartësi të mëdha në Zvërnec, ku mbi tokën bujqësore është vendosur statusi i zonës së mbrojtur.
Në të njëjtën intervistë, Subashi deklaroi se aktualisht jeton në Greqi, por është kthyer për të mbrojtur pronën e tij. Ai u shpreh se nuk është kundër investimeve, por kërkon që të njihet fillimisht si pronar.
“Jetoj në Greqi, por kam ardhur të mbroj tokën time në Zvernec. Investimet s’mund të bëhen duke grabitur tokat. Unë nuk e kam zhvilluar pronën në Zvërnec, e kam lënë në atë gjendje, por do ta zhvilloj në të ardhmen. Ne duam të njihemi si pronarë dhe pastaj jemi të hapur të dialogojmë me Qeverinë për çdo gjë”, tha ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




