Ulet çmimi i naftës dhe benzinës, vendosen çmimet e reja
Bordi i Transparencës ka miratuar këtë të mërkurë çmimet e reja tavan për tregtimin e karburanteve në Shqipëri. Vendimi ka hyrë në fuqi më 10 qershor 2026, në orën 14:00, dhe do të mbetet në zbatim deri në mbledhjen e ardhshme të bordit.
Sipas vendimit të marrë, çmimi maksimal i lejuar për shitjen me pakicë të gazoilit të standardit SSH EN 590 është përcaktuar në 188 lekë për litër, ndërsa për shitjen me shumicë nuk duhet të tejkalojë 176 lekë për litër.
Ndërkohë, benzina do të tregtohet me një çmim tavan prej 171 lekësh për litër në pikat e shitjes me pakicë, ndërsa çmimi maksimal për tregtimin me shumicë është vendosur në 159 lekë për litër.
Autoritetet sqarojnë se këto çmime janë llogaritur në bazë të metodologjisë së miratuar dhe do të qëndrojnë në fuqi deri në rivlerësimin e radhës, kur do të merren në konsideratë lëvizjet e tregjeve vendase dhe ndërkombëtare të hidrokarbureve.
Bordi i Transparencës u ka kujtuar të gjithë operatorëve që ushtrojnë aktivitet në tregun e karburanteve detyrimin për të zbatuar vendimin e miratuar. Sipas njoftimit, çdo shkelje e konstatuar nga subjektet që operojnë në shitjen me shumicë ose pakicë të nënprodukteve të naftës mund të shoqërohet me masa administrative, deri në pezullimin e aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, thekson se vijon monitorimin e tregut me synim mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme.
Si do të aplikohet akciza
Në sqarimin shoqërues të vendimit, kujtohet se Akti Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, parashikon uljen në 80% të nivelit të akcizës vetëm në rastet kur çmimi me pakicë i gazoilit kalon 220 lekë për litër ose kur benzina tregtohet mbi 200 lekë për litër.
Duke qenë se çmimet e miratuara nga Bordi i Transparencës janë nën këto kufij, për të dyja nënproduktet do të vijojë të zbatohet niveli i plotë i akcizës, pra 100%.
Çmimi i gazoilit për sektorin e peshkimit
Sa i përket gazoilit që përdoret nga anijet e peshkimit, legjislacioni në fuqi parashikon përjashtim nga taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe detyrimet e akcizës, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në aktet përkatëse ligjore dhe nënligjore.
Bazuar në metodologjinë e përcaktuar nga akti normativ në fuqi, çmimi i shitjes së gazoilit për peshkim rezulton të jetë 92 lekë për litër.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



