Valon Ademi lëshon akuza tronditëse drejt Behgjet Pacollit:
“Turp të qoftë, kërkove të bleje Aeroportin e Vlorës për llogari të rusëve”
Përplasja mes ortakëve në projektin e Aeroportit të Vlorës është thelluar ndjeshëm, pasi pronari i 2A Group, Valon Ademi, ka reaguar publikisht me akuza të drejtpërdrejta ndaj Behgjet Pacolli.
Në deklaratën e tij, Ademi pretendon se në shkurt të vitit 2025 i është ofruar një shumë prej 80 milionë eurosh për blerjen e aksioneve të aeroportit, duke shtuar se oferta ishte bërë në emër të interesave ruse. Sipas tij, refuzimi i kësaj oferte është edhe zanafilla e konfliktit që vijon sot.
Ademi thekson se nuk ka “asnjë problem personal” me Pacollin, por e konsideron atë pjesë të një skeme më të gjerë që synon marrjen nën kontroll të Aeroportit të Vlorës. Në këtë kontekst, ai përmend edhe Bart Turtelboom, për të cilin pretendon se është i përfshirë në aspektin financiar dhe juridik të kësaj skeme.
Sipas tij, pas refuzimit të ofertës, Pacolli i ka deklaruar se “pronar formal do të vazhdojë të figurojë Mabco”, moment që sipas Ademit ka çuar në përshkallëzimin e përplasjes.
Biznesmeni shprehet se deri më tani ka zgjedhur të mos bëjë publike shumë detaje, duke pritur reagimin e institucioneve, por paralajmëron se nuk do të tërhiqet nga ajo që e quan betejë për mbrojtjen e një aseti strategjik.
Në reagimin e tij, ai përdor tone të ashpra ndaj Pacollit, duke e akuzuar për veprime në kundërshtim me interesin publik dhe për përpjekje për të ndikuar opinionin përmes propagandës.
Në përfundim, Ademi deklaron prerazi se nuk do të pranojë në asnjë rrethanë shitjen e Aeroportit të Vlorës dhe se, sipas tij, ky aset nuk do të përfundojë në duart e palëve që ai pretendon se qëndrojnë pas kësaj skeme.
Deklarata e tij vjen në një moment kur tensionet mes ortakëve janë bërë publike, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi të ardhmen e një prej investimeve më të rëndësishme infrastrukturore në vend.
Reagimi i Valon Ademit
Emisar,
Unë e njoh shumë mirë strategjinë tënde, pasi e kuptoj qartë që “ujku do mjegull”. Për këtë taktikë, ti je i shkolluar dhe i trajnuar prej kohësh nga shefat e tu, ndaj dhe strategjinë e mjegullës di ta zbatosh me mjeshtëri. Megjithatë, nëse kjo qasje mund të funksionojë për të hutuar opinionin publik, me mua të ka dështuar.
Siç ta kam bërë të qartë: me ty, emisar, unë nuk kam asnjë problem sepse ti nuk je as aktor dhe as faktor në këtë mes; je thjesht një agjent i përdorur për të marrë nën kontroll Aeroportin e Vlorës. Lufta ime është me kolegun tënd, Bart Turtelboom, i cili është ekzekutori i skemës financiare dhe juridike për t’ua dorëzuar këtë aset kombëtar shefave tuaj, atje ku i keni.
Ti detyrën tënde po e zbaton me përpikëri, sipas udhëzimeve. Ndaj, ti nuk ke faj që unë e refuzova ofertën tënde prej 80 milionë eurosh në shkurt të vitit 2025, për t’ia shitur aeroportin atyre që ti i di mirë. Madje, kur unë e refuzova atë ofertë pikërisht për shkak të asaj që ata përfaqësojnë, ti më the tekstualisht: “Mos u shqetëso, sepse pronar formal do të vazhdoj të figuroj Mabco.”
Refuzimi im i prerë atë natë është zanafilla e kësaj situate të cilën po e përballoj edhe sot. “Gabimi” im i vetëm ishte refuzimi për ta shitur Aeroportin e Vlorës atje ku ti kishe marrë urdhër ta dorëzoje.
Deri më sot, shumë detaje i kam mbajtur larg vëmendjes publike, duke pritur që organet kompetente të bëjnë detyrën e tyre, në mos atë ligjore, të paktën atë patriotike. E kam bërë betejën time në heshtje, në respekt të institucioneve. Por, edhe pse ata që duhej të reagonin heshtën, unë nuk do të ndalem, kurrë.
Emisar, tregoj shefave të tu, se unë nuk shitem, nuk intimidohem, nuk frikësohem dhe nuk dorëzohem kurrë përballë tyre! Tregoju se paraja e tyre, për mua s’ka asnjë vlerë. Ata mund të blejnë gazetarë, media e portale, por Aeroportin e Vlorës nuk do ta blejnë kurrë.
As ti dhe as propaganda jote me mercenarë e zagarë nuk më intimidon, sepse, në të gjithë këtë proces të Aeroportit të Vlorës, i vetmi njeri i shitur, i blerë dhe i komprometuar je ti.
Dil e tregoju shqiptarëve se kush fshihet pas “Compartment Bernina”. Dil e tregoju me sa rubla u pagove. Dil e tregoju se te gjitha veprimet po i bën vetëm për interes të Compartment Bernina-s, interesa këto që bien ndesh me interesin publik, atëherë mund të marrësh guximin të përmendësh emrin tim.
Ti emisar, edhe mashtrimet i bën për të mbuluar atë se çfarë në të vërtetë je, sepse ti nuk je emisar për një mision, por ti je agjent me mision të përjetshëm, sepse ti shpirtin edhe dinjitetin e ke shitur me kohë, e tash vepron me urdhra nga atje ku je shitur!
Turp të qoftë emri Behgjet e mbiemri Pacolli!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



