VAR dhe 2 gola të anulluar, UEFA nis sfidën me Andorrën 4 orë përpara
Përpara nisjes së duelit të sotëm mes Andorrës dhe Shqipërisë, e parashikuar për t’u zhvilluar në orën 20:45, faqja zyrtare e UEFA-s ka ngjallur habi te tifozët kuqezi.
Në seksionin e dedikuar për ndeshjen, janë publikuar disa postime që tregonin se loja kishte filluar që katër orë më herët, një fakt që i ka bërë shumë tifozë të dyshojnë për ndonjë “parashikim” të pazakontë.
Aty shfaqen madje edhe tri ndërhyrje të sistemit VAR, sikur ndeshja të ishte në zhvillim. Në dy prej rasteve, VAR-i “anulon” gola, sipas asaj që shfaqet në përditësimet e UEFA-s.
Kjo situatë e pazakontë mendohet të ketë ardhur si pasojë e një gabimi teknik nga ana e editorëve të faqes zyrtare, të cilët ndoshta po testonin publikimet automatike për ndeshjen, por për pak sekonda ia dolën ta kthejnë testin në një “mini-skandal” online.
Megjithatë, pavarësisht incidentit teknik, ndeshja e vërtetë mes Andorrës dhe Shqipërisë do të nisë në orarin e përcaktuar – 20:45, dhe tifozët shpresojnë që të vetmit “gola të anuluar” të jenë ata në faqen e UEFA-s, jo në fushë.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



