Vdekja e Ali Khameneit, shpërthen festa në Iran, qytetarët dalin në rrugë
Qytetarë në disa zona të Iranit kanë dalë në rrugë duke brohoritur dhe duke luajtur muzikë festive pas raportimeve për vdekjen e Udhëheqësit Suprem, Ali Khamenei.
Sipas dëshmitarëve dhe pamjeve video të verifikuara nga Agence France-Presse, festimet në Teheran nisën pak pas orës 23:00 (19:30 GMT), madje përpara se televizioni shtetëror iranian të jepte ndonjë konfirmim zyrtar mbi deklaratën e bërë nga presidenti amerikan Donald Trump.
Në videot e shpërndara në rrjetet sociale dëgjohen fishkëllima të forta, brohoritje dhe fishekzjarrë që ndriçojnë qiellin, ndërsa në disa lagje muzika festive dëgjohej me volum të lartë.
“Nuk mund ta besoj. Është sikur të marrësh një lajm kaq të mirë sa nuk di çfarë të bësh”, tha një banor i Teheranit. “Nuk do të flemë gjithë natën, po presim të fillojë dita e parë pa Khamenein. Mendoj se Lindja e Mesme dhe bota janë bërë vende më të mira.”
Megjithatë, sipas raportimeve në mediat sociale, njerëzit nuk kanë dalë masivisht në rrugë, pasi shumë prej tyre mbeten të frikësuar pas shtypjes së përgjakshme të protestave antiqeveritare që ndodhën në fillim të vitit.
Në një video-thirrje me The New York Times, tre banorë të Teheranit përshkruan skena ku grupe burrash dhe grash kërcenin dhe brohorisnin në rrugë duke thirrur “Urra”. Shoferët që kalonin u binin borive të makinave, ndërsa fishekzjarret dhe muzika persiane për vallëzim mbushnin ajrin.
Nga dritaret dhe ballkonet, disa banorë u bashkuan me thirrjet “liri, liri”. Në një video të publikuar nga BBC Persian, një burrë dëgjohet duke bërtitur nga çatia: “Khamenei shkoi në ferr”.
Festime u raportuan edhe në qytete të tjera. Në Abdanan, në perëndim të Iranit, të rinjtë dolën në rrugë, duke bërë shenja fitoreje dhe duke brohoritur nga dritaret e makinave.
Ndërsa në Shiraz dhe Isfahan u dëgjuan brohoritje dhe boritë e makinave që jehonin nëpër rrugë, ndërsa në disa zona raportohet se është rrëzuar edhe një monument që mendohet se portretizonte udhëheqësin suprem.
Situata mbetet e paqartë dhe informacionet po ndryshojnë me shpejtësi, ndërsa rajoni po përjeton një nga momentet më të tensionuara të viteve të fundit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



