Veliaj 1-0 Rama, zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese ka shpallur sot vendimin për çështjen e paraqitur nga ish-kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, në lidhje me shkarkimin e tij nga detyra. Seanca u zhvillua më 3 nëntor 2025, ndërsa kërkesa e Veliajt kishte për objekt shfuqizimin e vendimit nr. 539/2025 të Këshillit të Ministrave, si dhe të dekretit nr. 350/2025 të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore në kryeqytet.
Juridiksioni i Gjykatës Kushtetuese
Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese vlerësoi njëzëri se ka juridiksion për të shqyrtuar ligjshmërinë e vendimit të qeverisë për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë. Sipas Gjykatës, kjo kompetencë buron nga neni 115 i Kushtetutës, i cili i njeh këtij institucioni të drejtën për të garantuar autonominë vendore dhe parimin e zgjedhjes së drejtpërdrejtë të organeve të qeverisjes vendore.
Gjykata theksoi se ky kontroll është thelbësor për të mbrojtur të drejtën qytetare për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, duke shtuar se ligji nuk mund të kufizojë garancitë kushtetuese të një organi të zgjedhur. Në këtë kuadër, u ritheksua se vetëm Gjykata Kushtetuese mund të vlerësojë bazueshmërinë ligjore dhe kushtetuese të një vendimi për shkarkim nga qeveria.
Vlerësimi i procedurës së shkarkimit
Pas shqyrtimit në themel të çështjes, Gjykata konstatoi se procedura e ndjekur nga Këshilli Bashkiak dhe më pas nga Këshilli i Ministrave nuk kishte respektuar të drejtën e Veliajt për një proces të rregullt ligjor. Sipas shumicës së anëtarëve të trupës gjykuese, mungesa e njoftimit dhe e mundësisë për t’u dëgjuar përbën shkelje të parimit të mbrojtjes së individit në proceset administrative.
Gjykata nënvizoi se organet publike kanë detyrimin të garantojnë plotësisht këto të drejta procedurale dhe se barra e përgjegjësisë nuk mund t’i kalojë individit. Vetëm njoftimi për datën e mbledhjes së këshillit bashkiak, sipas saj, nuk mjafton për të konsideruar procesin të rregullt.
Mungesa e bazës ligjore për shkarkim
Në arsyetimin e saj, Gjykata vuri në dukje se qeveria nuk kishte justifikuar shkarkimin e Veliajt me një “shkelje të rëndë të Kushtetutës apo të ligjeve”, siç kërkohet nga neni 62 i ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”. Ky nen, sipas Gjykatës, është vetëm një detajim i dispozitave kushtetuese dhe nuk i jep ligjvënësit të zakonshëm kompetencën për të shtuar raste të tjera shkarkimi jashtë atyre të parashikuara nga Kushtetuta.
Tre gjyqtarë mbajtën një qëndrim ndryshe, duke argumentuar se nenet “a”, “b” dhe “c” të nenit 62 janë në përputhje me delegimin kushtetues, por shumica e trupës gjykuese mbështeti konstatimin se vendimi i qeverisë nuk kishte bazë të mjaftueshme ligjore dhe kushtetuese.
Vendimi përfundimtar
Duke u bazuar në këto argumente, Gjykata Kushtetuese vendosi me shumicë votash:
-
Pranimin e kërkesës së paraqitur nga Erion Veliaj.
-
Shfuqizimin e vendimit nr. 539, datë 25.09.2025, të Këshillit të Ministrave “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë”, si akt të papajtueshëm me Kushtetutën.
-
Shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025, që parashikonte mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë, për shkak se ky dekret rrjedh nga një vendim tashmë i shfuqizuar dhe bie ndesh me nenin 115 të Kushtetutës.
-
Vazhdimin e pezullimit të dekretit presidencial për zgjedhjet në Bashkinë Tiranë, deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi.
Gjykata theksoi se vendimi përfundimtar do të publikohet i arsyetuar brenda afateve ligjore, në përputhje me ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, si dhe me Rregulloren për Procedurat Gjyqësore të këtij institucioni.
VENDIMI I PLOTË:
Gjykata Kushtetuese në datën 03.11.2025 mori në shqyrtim çështjen me kërkues Erion Veliaj, me objekt shfuqizimin e vendimit nr. 539/2025 të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra e kryetarit të Bashkisë Tiranë; shfuqizimin e dekretit nr. 350/2025, të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si dhe pezullimin e efekteve të këtij dekreti.
Gjykata vlerësoi fillimisht, njëzëri, se ajo ka juridiksion për kontrollin e VKM-së nr. 539/2025, pasi neni 115, pika 2, i Kushtetutës i ka dhënë asaj kompetencën të shqyrtojë vendimin e shkarkimit të kryetarit të bashkisë si organ i zgjedhur drejtpërdrejt i qeverisjes vendore. Kjo kompetencë i është dhënë Gjykatës me qëllim mbrojtjen e parimit të autonomisë vendore dhe të së drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.
Në kuptim të nenit 115, pika 1, të Kushtetutës shkarkimi nga detyra i organit të zgjedhur drejtpërdrejt të njësisë së qeverisjes vendore është një koncept kushtetues.
Gjykata theksoi, gjithashtu, se në jurisprudencën e saj të deritanishme ka përjashtuar nga juridiksioni kushtetues vetëm rastin e mbarimit të mandatit të kryetarit të bashkisë sipas neneve 6/1 dhe 179/1 të Kushtetutës (procesi i dekriminalizimit), ndërsa në të gjitha rastet e tjera të shkarkimit, sikurse në rastin konkret, ajo ka pranuar juridiksionin e saj për shqyrtimin e ankimeve kundër vendimeve të Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra të organeve të zgjedhura drejtpërdrejt të njësisë së qeverisjes vendore. Gjykata ritheksoi se atë që nuk ka dashur ta thotë Kushtetuta, nuk mund ta thotë ligji, sepse në të kundërt ekziston mundësia e kufizimit me ligj të garancive kushtetuese të organit të zgjedhur të qeverisjes vendore, çka, në thelb, kufizon vetë kompetencën e saj. Gjykata është organi që ka kompetencën për kontrollin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e organit të zgjedhur drejtpërdrejt, bazueshmëria në Kushtetutë dhe ligj e të cilit vlerësohet vetëm nga kjo Gjykatë, e cila thotë fjalën e fundit.
Në lidhje me pretendimet e kërkuesit, Gjykata i shqyrtoi ato në themel në kuadër të procesit të rregullt të lidhur me masën e shkarkimit, me përjashtim të pretendimit për prezumimin e pafajësisë për të cilin ajo vendosi rrëzimin. Në këtë pikë, Gjykata vlerësoi të theksojë se shqyrtimi dhe vlerësimi i çështjes ka të bëjë vetëm me procesin e shkarkimit të kërkuesit nga detyra e kryetarit të Bashkisë Tiranë, pra jo me procesin penal të regjistruar në ngarkim të tij.
Në kushtet kur pranoi në juridiksionin kushtetues VKM-në nr. 539/2025, Gjykata, bazuar në jurisprudencën e saj, në lidhje me të drejtën për proces të rregullt i shqyrton rastet e shkarkimit të organit të zgjedhur të qeverisjes vendore si gjykim në themel të çështjes, duke vepruar si gjykatë fakti dhe ligji, duke analizuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e procesit dhe të aktit. Në thelb, Gjykata shqyrton nëse shkaku i shkarkimit përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe të ligjeve dhe nëse Këshilli i Ministrave ka respektuar procedurat për ta motivuar dhe arsyetuar plotësisht vendimin e shkarkimit.
Gjykata vlerësoi se neni 62 i ligjit nr. 139/2015 është detajim i nenit 115, pika 1, të Kushtetutës. Kjo normë kushtetuese nuk i ka deleguar ligjvënësit të zakonshëm parashikimin e rasteve të tjera për shkarkim përveç atyre të përcaktuara prej saj, të cilat kanë të bëjnë me shkeljen e rëndë të Kushtetutës dhe të ligjeve. Në lidhje me këtë, tre gjyqtarë mbajtën qëndrimin se të gjitha parashikimet e shkronjave “a”, “b” dhe “c” të nenit 62 të ligjit nr. 139/2015 janë miratuar nga ligjvënësi në kuptim të delegimit kushtetues të nenit 115 të Kushtetutës.
Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se procedura e ndjekur në rastin konkret nga këshilli bashkiak dhe më tej nga Këshilli i Ministrave, duke mos e njoftuar kërkuesin, nuk ka garantuar të drejtën e tij për proces të rregullt në aspektet e së drejtës për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur.
Gjykata theksoi se procesi i rregullt kërkon përmbushjen e garancive procedurale të individit, të cilat përbëjnë detyrim të organeve publike që realizojnë procesin dhe në asnjë rast nuk mund të zhvendoset barra nga këto organe te individi. Në këtë kuptim, vetëm marrja dijeni për datën e mbledhjes së këshillit bashkiak nuk çliron organin publik për të garantuar të gjitha detyrimet si më sipër.
Po kështu, Gjykata, vlerësoi, me shumicë votash, se Këshilli i Ministrave, teksa vendosi shkarkimin e kërkuesit nga detyra sipas nenit 62, shkronja “c”, të ligjit nr. 139/2015, nuk e ka justifikuar shkarkimin me shkeljen e rëndë të Kushtetutës dhe të ligjeve, për të cilat ai mund të mbahet përgjegjës. Në këtë pikë, Gjykata theksoi se mbrojtja e interesit publik për të garantuar të drejtën e zgjedhësve për t’u qeverisur nga një organ i zgjedhur drejtpërdrejt nuk mund të justifikojë cenimin e garancive kushtetuese.
Për këto arsye, Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se kërkuesit i është cenuar e drejta për proces të rregullt e lidhur me masën e shkarkimit, prandaj vendosi shfuqizimin e VKM-së nr. 539/2025.
Në lidhje me dekretin e Presidentit të Republikës, Gjykata theksoi se për sa kohë kontrolli i shkarkimit nga detyra të organit të qeverisjes vendore sipas nenit 115, pika 2, të Kushtetutës i përket juridiksionit kushtetues, edhe kontrolli i akteve të pushtetit publik të nxjerra si rrjedhojë dhe për shkak të vendimit të shkarkimit dhe krijimit të vakancës, siç është dekreti i Presidentit të Republikës, i përkasin po ashtu juridiksionit kushtetues. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se nuk ka nevojë të ndiqen rregullat për shterimin e mjeteve në gjykatën administrative, sipas nenit 131, pika 1, shkronja “f” të Kushtetutës.
Duke qenë se shfuqizoi VKM-në nr. 539/2025, me qëllim riparimin e pasojave që vijnë nga dekreti i Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë, në konsideratë të nenit 115, pika 3, të Kushtetutës, Gjykata vendosi të shfuqizojë edhe këtë dekret pasi është një akt i nxjerrë për plotësimin e vakancës të krijuar nga VKM-ja për shkarkimin nga detyra të kërkuesit.
Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi, me shumicë votash:
Pranimin e kërkesës.
Shfuqizimin e vendimit nr. 539, datë 25.09.2025 të Këshillit të Ministrave “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si të papajtueshëm me paragrafët 2 dhe 3 të nenit 115 të Kushtetutës.
Vazhdimin e masës së pezullimit të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



