E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Veliaj dhe Bashkia Tiranë ankimojnë vendimin për emërimin e prokurorit Ols Dado
Lajme

Veliaj dhe Bashkia Tiranë ankimojnë vendimin për emërimin e prokurorit Ols Dado

Erion Veliaj dhe Bashkia Tiranë kanë çuar në Apel vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, e cila refuzoi shqyrtimin në themel të padisë që kërkon konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit për emërimin e Ols Dados në detyrën e prokurorit.

Padia ngre pikëpyetje mbi ligjshmërinë e emërimit të Dados dhe kërkon që gjykata të verifikojë nëse akti juridik mbi të cilin ai ka fituar statusin e prokurorit është në përputhje me kërkesat ligjore.

Sipas argumentimit të Veliajt dhe Bashkisë së Tiranës, gjykata e shkallës së parë nuk e ka shqyrtuar thelbin e çështjes. Ajo e ka mbyllur procesin për mungesë legjitimimi, pa hyrë në vlerësimin e pretendimit se në vitin 2008, kur Dado u emërua prokuror, nuk kishte përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe, sipas padisë, nuk plotësonte kriteret ligjore për emërimin në këtë detyrë.

Në themel të ankimit qëndron pikërisht pretendimi për pavlefshmëri absolute të aktit të emërimit. Sipas palës paditëse, bëhet fjalë për një nivel të rëndë paligjshmërie, i cili, sipas kuadrit ligjor të referuar në padi, mund të konstatohet edhe jashtë afateve të zakonshme dhe madje kryesisht nga gjykata.

Veliaj dhe Bashkia Tiranë pretendojnë se, përpara se të vendoste për legjitimimin procedural, gjykata duhej të shqyrtonte nëse akti që i ka dhënë Dados statusin e prokurorit është apo jo i vlefshëm në pikëpamje juridike.

Nëse pretendimi do të provohej, sipas palës që ka ngritur padinë, çështja do të kishte pasoja që shkojnë përtej një konflikti individual, pasi lidhet drejtpërdrejt me ligjshmërinë e ushtrimit të kompetencave të një prokurori.

“Pse prokurori duhet të jetë jashtë kontrollit?”

Në argumentimin e ankimit ngrihet edhe një çështje më e gjerë mbi parimin e barazisë para ligjit dhe kontrollin gjyqësor mbi pushtetin publik.

Veliaj dhe Bashkia Tiranë argumentojnë se kryetari i Bashkisë së Tiranës, pavarësisht statusit të tij dhe faktit se është zgjedhur nga qytetarët, i është nënshtruar procedurave të hetimit dhe gjykimit penal. Në këtë kontekst, sipas tyre, duhet të verifikohet me të njëjtin standard edhe ligjshmëria e titullit mbi të cilin një prokuror ushtron kompetencat e tij.

“Barazia para ligjit nuk mund të funksionojë vetëm për të akuzuarin. Edhe pushteti që heton dhe akuzon duhet të provojë se buron nga ligji”, thuhet në argumentimin e palës ankimuese.

Sipas tyre, çështja nuk ka të bëjë vetëm me interesin e Erion Veliajt, por prek një parim më të gjerë të shtetit të së drejtës: nëse çdo qytetar i nënshtrohet kontrollit të gjykatave dhe ligjit, atëherë edhe mënyra se si është fituar një funksion publik me kompetenca të rëndësishme duhet të jetë e verifikueshme.

Apeli do të shqyrtojë ankimin

Pas vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Veliaj dhe Bashkia Tiranë i janë drejtuar Gjykatës Administrative të Apelit.

Në këtë fazë, pretendimet për pavlefshmërinë e dekretit të emërimit mbeten pjesë e argumentimit të palës paditëse dhe nuk përbëjnë një konstatim gjyqësor se emërimi i Ols Dados është i paligjshëm.

Tashmë pritet që Gjykata Administrative e Apelit të vlerësojë ankimin dhe nëse çështja duhet të vijojë me shqyrtimin e pretendimeve në themel.

Thelbi i debatit është nëse gjykata do të hyjë në analizën e ligjshmërisë së aktit të emërimit apo do të lërë në fuqi vendimin procedural të shkallës së parë.

Në ankimin e tyre, Veliaj dhe Bashkia Tiranë kërkojnë që kontrolli gjyqësor të zbatohet njësoj për të gjitha palët: pa imunitet për të zgjedhurin që përballet me akuzat penale, por edhe pa përjashtim nga verifikimi i ligjshmërisë për prokurorin që ushtron pushtetin e akuzës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.