E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Veliaj në qeli, drejtori i UKT, Budurushi  blen 70 MLN lekë kollare!
Lajme

Veliaj në qeli, drejtori i UKT, Budurushi blen 70 MLN lekë kollare!

Ditët e fundit, para arrestimit të Erion Veliajt, drejtorët e bashkisë Tiranë kanë firmosur tendera pa garë me shpejtësi dhe pakujdesi në shkeljen e ligjit. Më i zellshmi për të ndjekur axhendën të kryetarit ka qenë Kostandin Budurushi, drejtor i Ujësjellës Kanalizimeve.

Në këtë kuadër, Budurushi ka bërë një tender për këmisha, funde dhe kravata për punonjëset e ujësjellësit.

Bëhet fjalë për prokurimin me objekt “Blerje veshje të ndryshme pune për UKT sh.a”. Me këtë tender bëhen “rrush e kumbulla” 6 955 380,00 lekë.

Tenderi është vlerësuar me “Flamurin e kuq” nga Open Data Albania, që e përdor këtë shenjë për të treguar riskun e korrupsionit. “Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, është përshkrimi i bërë për procedurën.

Ky është një nga ato tenderat tipikë që bëhen në fund të vitit për të mos u vënë re nga publiku. Më 30 dhjetor 2024 është bërë njoftimi në Agjencinë e Prokurimeve Publike, ndërsa data e dorëzimit të dokumenteve është lënë për në 10 janar 2025. Drejtor Budurushi duke kryer porosinë e Veliajt ia ka dhënë tenderin klientes së përhershme të bashkisë, Vojsava Zenelajt. Megjithëse në tender kishte aplikuar me një ofertë më të ulët një kompani serioze, Budurushi e ka skualifikuar.

Kështu kompania “MUHOPLUS LTD” sh.p.k ka propozuar ta kryejë porosinë 5.811.160 lekë, por është zgjedhur e përhershmja Zenelaj që ka ofertën më të shtrenjtë, 6.870.700 lekë.

Në fakt, Budurushit nuk i dhimbsen paratë e mbledhura nga tarifat e qytetarëve të kryeqytetit. Rëndësi ka që paratë t’i shkojnë mikes së kryetarit.

Tenderi duket qartë se bëhet për qëllime përfitimi. Nëse shohim listën e veshjeve do të shohim se gjysma e tyre janë të përmasave XXL, XXXL që duhet të jenë mbetje nëpër magazina.

Ndërkaq, pasi mashtroi qytetarët kur rriti çmimin e ujit, Veliaj nuk e ka mbajtur premtimin për furnizim 24 orë. Po ashtu uji, sipas analizave zyrtare, rezulton i pakonsumueshëm. Dhe pa u shqetësuar për situatën, drejtor Budurushi blen këmisha, funde e kravata me paratë e qytetarëve.

Edhe paraardhësit: Redi Molla, që është sot në burg, edhe Elton Kacidhja që i doli emri në SPAK për shoqërinë “5D”, kështu vepronin. Ndërsa Vojsava Zenelaj është emër i njohur për bashkinë Tiranë. Për shembull në vitin 2020, ish-drejtori i asaj kohe i Ujësjellësit të Tiranës i skualifikoi të gjithë pjesëmarrësit në tenderin për veshjet, përveç Vojsavës. Në dokumentin e mëposhtëm tregohet se në vitin 2020 Vojsava mori me “Flamur të kuq” 90 milionë lekë.

Pa e zgjatur shumë, më 7 shkurt 2025, Budurushi i ka lidhur kontratën Vojsavës dhe e ka publikuar fituesin në Agjencinë e Prokurimeve Publike.

Situata në UKT ka marrë një kthesë të re pas publikimit të emrit të ish-drejtorit të përgjithshëm, Elton Kacidhja, në komunikimet e WhatsApp-it të kompanisë “5D”, drejtuesit e së cilës janë nën hetim nga SPAK. Për të shmangur përfshirjen publike të Bashkisë në këtë skandal, më 25 tetor 2024, Veliaj bëri një rokadë të drejtuesve. Në krye të UKT u vendos Elda Muçi, e cila, pa kaluar as një muaj, u zëvendësua nga një tjetër emër i besuar i kryetarit, Kostandin Budurushi.

Kujtojmë se dje në bashkinë e Tiranës shkoi një grup i hetuesve të BKH që arrestuan kryetarin Erion Veliaj, i cili akuzohet për korrupsion, shpërdorim të detyrës, pastrim të parave, fshehje të të ardhurave. Drejtor Budurushi bën kollaren e radhës me lekët e taksapaguesve të Tiranës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.