Veliaj nuk heq dorë, i përgjigjet ‘dhëmbë për dhëmbë’ Begajt
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar një ankesë shtesë në Gjykatën Kushtetuese, duke zgjeruar objektin e kërkesës fillestare. Sipas burimeve të gazetaresë së Top Channel Anila Hoxha, avokatët e Veliajt kanë përfshirë tashmë në këtë ankesë edhe dekretin e Presidentit dhe pezullimin e pjesshëm të tij, që lidhet konkretisht me zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës.
Në dokumentin e paraqitur, theksohet se nëse Gjykata Kushtetuese nuk pezullon menjëherë dekretin, mund të krijohet një situatë faktike e kryer, ku një vendim i mëvonshëm i gjykatës për ta shpallur të pavlefshëm këtë dekret nuk do të mund të rikthente gjendjen e mëparshme.
“Vetë Gjykata Kushtetuese, nëse nuk pezullon menjëherë dekretin, do të gjendej përpara një realiteti të kryer, ku edhe një vendim i saj shfuqizues nuk do të mund të rivendoste gjendjen e mëparshme, pasi procesi zgjedhor do të kishte prodhuar pasoja të pakthyeshme, përfshirë zgjedhjen e një kryetari të ri”, thuhet në shkresën e depozituar nga përfaqësuesit ligjorë të Veliajt.
Kjo lëvizje vjen në vazhdën e debatit institucional mbi vendimin e Presidentit për të dekretuar datën e re të zgjedhjeve të pjesshme, ku përfshihet edhe Tirana. Veliaj dhe përfaqësues të tjerë të mazhorancës e kanë konsideruar këtë dekret si antikushtetues dhe politik, ndërsa opozita e ka përshëndetur si një hap drejt normalizimit të situatës në pushtetin vendor.
Ende nuk ka një reagim zyrtar nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me kërkesën për pezullim të menjëhershëm, ndërsa pritet të shihet nëse kjo çështje do të merret në shqyrtim me procedurë të përshpejtuar, për shkak të kohës së kufizuar për zhvillimin e zgjedhjeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



