E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vendimet e Hagës, Mbretëria e Bashkuar: Mbështesim fuqishëm Kosovën
Bota

Vendimet e Hagës, Mbretëria e Bashkuar: Mbështesim fuqishëm Kosovën

Ministri për Evropën i Mbretërisë së Bashkuar, Lord Wood, ka reaguar përmes një komunikate zyrtare pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Mbretëria e Bashkuar thekson se respekton pavarësinë e Gjykatës dhe procesin e saj gjyqësor, ndërsa përsërit mbështetjen për Kosovën, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial.

“Mbretëria e Bashkuar respekton pavarësinë e Gjykatës dhe procesin e saj gjyqësor dhe mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë, llogaridhënies dhe pajtimit në mbarë rajonin”, thuhet në deklaratë.

Lord Wood nënvizon gjithashtu rolin e Mbretërisë së Bashkuar dhe NATO-s gjatë luftës së Kosovës dhe mbështetjen e dhënë për pavarësinë e vendit.

“Mbretëria e Bashkuar mbetet mik dhe partner i afërt i Kosovës, duke mbështetur fuqishëm sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin e saj territorial, si dhe paqen në Ballkanin Perëndimor. Jemi krenarë për rolin që luajtëm së bashku me aleatët e NATO-s në ndihmën për parandalimin e një katastrofe humanitare në vitin 1999 dhe në mbështetjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”, deklaroi ai.

Duke iu referuar drejtpërdrejt vendimit të Hagës, ministri britanik thekson se procesi gjyqësor ka të bëjë me individë dhe jo me statusin e Kosovës si shtet.

“Aktgjykimi i sotëm i Dhomave të Specializuara të Kosovës është një moment i rëndësishëm, por ai nuk është një gjykim për shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj”, thuhet në deklaratë.

Mbretëria e Bashkuar shpreh gjithashtu solidaritet me viktimat dhe familjet e tyre, duke bërë thirrje që vendimi të mos përdoret për të nxitur tensione ndërmjet komuniteteve apo në rajon.

Në deklaratë u bëhet thirrje liderëve politikë dhe figurave publike që të promovojnë qetësinë dhe të sigurojnë që çdo reagim ndaj vendimit të jetë paqësor.

“Liderët politikë dhe figurat publike kanë përgjegjësi të promovojnë qetësinë, të sigurojnë që çdo reagim të mbetet paqësor dhe të vendosin sigurinë e njerëzve mbi të gjitha”, thuhet në reagim.

Në përfundim, Mbretëria e Bashkuar deklaron se do të vijojë bashkëpunimin me partnerët në rajon për të mbështetur paqen, drejtësinë dhe një të ardhme të sigurt për të gjitha komunitetet.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.