VIDEO/ Dronët iranianë kalojnë mbi Irak, Jordania paralajmëron se do të qëllojë çdo mjet që shkel hapësirën ajrore

Irani ka nisur mbrëmjen e sotme sulmin hakmarrës ndaj Izraelit duke lëshuar dhjetëra drone, të cilët raportohet se do të duan disa orë që të godasin objektivat.

Teksa zyrtarët amerikanë paralajmëruan më herët për sulmin masiv iranian në përgjigje të sulmit izraelit në ambasadën e Iranit në Damask, Garda Revolucionare e Iranit konfiskoi të shtunën një anije transporti që “lidhet me regjimin zionist (të Izraelit)” afër Ngushticës së Hormuzit” njoftuan mediat shtetërore në Teheran.

Shtëpia e Bardhë kritikoi konfiskimin e anijes së transportit, e cila është pronë britanike.

“Ne bëjmë thirrje që Irani të lirojë anijen dhe personelin e saj menjëherë”, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

“Konfiskimi pa provokim i anijeve civile është një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar dhe një veprim pirat nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike.”

Ndërkohë, Izraeli të shtunën vendosi të ndërpresë ekskursionet e shkollave dhe aktiviteteve të tjera për të rinjtë në ditët e ardhshme dhe vuri në gatishmëri të lartë forcat e tij ushtarake.

Gjatë një konference televizive për shtypin, zëdhënësi i ushtrisë izraelit nënadmirali Daniel Hagari tha se dhjetëra avionë luftarakë po patrullojnë hapësirën ajrore në kuadër të masave të gatishmërisë së lartë. Ai tha se “Irani do të vuajë pasojat nëse e përshkallëzon më tej situatën”.

“Izraeli është në gatishmëri të lartë. Ne kemi rritur gatishmërinë për të mbrojtur Izraelin nga agresioni i mëtejshëm iranian. Ne jemi gjithashtu të përgatitur të përgjigjemi”, shtoi zëdhënësi Hagari.

Mes alarmit për një sulm të mundshëm të Iranit ndaj Izraelit Presidenti amerikan Joe Biden u kthye para sulmit në Uashington për konsultime urgjente me ekipin e tij të sigurisë kombëtare.

Publikuar nga Publik Media