VIDEO/ Ishin futur LIVE, dy kryebashkiakët i merr përpara uji
Kryebashkiakët e Taorminës dhe Santa Teresa di Riva, Cateno De Luca dhe Danilo Lo Giudice, janë përfshirë nga një valë e fuqishme dhe e papritur teksa po transmetonin drejtpërdrejt në Facebook për situatën e rënduar të motit.
Për të ilustruar nga afër forcën e dallgëve që prej ditës së martë kanë goditur me intensitet të lartë bregdetin jonian të Sicilisë, dy drejtuesit vendorë ishin pozicionuar në shëtitoren e Santa Teresa di Riva, në një zonë pranë vijës bregdetare.
Ndërsa kamerat fokusonin detin e trazuar dhe dallgët e larta, një valë anormale i ka befasuar, duke i përfshirë të dy në mes të transmetimit live. Pamjet janë bërë virale, ndërsa videoja është publikuar më pas edhe nga vetë kryebashkiaku i Taorminës, Cateno De Luca, në rrjetet sociale.
Në reagimin e tij, De Luca ka shfrytëzuar momentin për të apeluar qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin zonat e rrezikshme gjatë motit të keq.
“Mos bëni atë që bëmë ne. Qëndroni larg shëtitoreve dhe përrenjve. Në Santa Teresa, disa orë më parë, u përfshimë nga një valë teksa, së bashku me kryebashkiakun Danilo Lo Giudice, po tregonim drejtpërdrejt pasojat e shkaktuara nga cikloni Harry”, shkruan De Luca.
Ngjarja ka shërbyer si një shembull i qartë i rrezikut që paraqet afrimi pranë vijës bregdetare gjatë kushteve ekstreme të motit, ndërsa autoritetet lokale vijojnë thirrjet për kujdes të shtuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



