E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vlora pa ujë, fondet janë vjedhur 100%
Flash

Vlora pa ujë, fondet janë vjedhur 100%

Anëtari i Këshillit Bashkiak, Gunbardhi: Humbi tubacioni me vlerë 400 mijë eur

VLORA PA UJË PËR TË KATËRTËN DITË / PROTESTA PËRPARA TEATRIT, BASHKIA BËN GALA – OPOZITA DENONCON 110 MILIONË EURO TË ZHDUKURA

Qyteti i Vlorës ka hyrë në ditën e katërt pa ujë të pijshëm, duke nxitur protesta qytetare dhe reagime të forta politike ndaj asaj që opozita e cilëson si një krizë të prodhuar nga keqmenaxhimi dhe korrupsioni shumëvjeçar në sektorin e ujësjellësit.

Anëtari i opozitës në Këshillin Bashkiak të Bashkisë Vlorë, Geron Gunbardhi, i ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, nën moderimin e Flavio Qarri, deklaroi se në ujësjellësin e Vlorës dhe Novoselës janë investuar rreth 110 milionë euro që nga viti 2009, por qyteti vijon të mbetet pa furnizim normal me ujë.

Sipas Gunbardhit, shkaku i krizës aktuale lidhet me dëmtimin e një tubacioni të ndërtuar në vitin 2009 nga një kompani holandeze, në kuadër të një investimi prej 22 milionë eurosh. Ai hodhi poshtë përpjekjet për t’ia faturuar përgjegjësinë qeverisë së asaj kohe, duke theksuar se problemi real është vjedhja dhe paaftësia sistematike ndër vite.

“Me këto para, Vlora jo vetëm që do të kishte ujë 24 orë, por do të furnizonim edhe Pulian në Itali”, u shpreh ai, duke shtuar se fondet janë abuzuar në masë të plotë, çka e ka kthyer krizën e ujit në një problem të përhershëm.

Kulmi i tensionit u shënua mbrëmjen e protestës përpara teatrit “Petro Marko”, ku Bashkia e Vlorës po organizonte një mbrëmje gala. Ndërsa qytetarët, përfshirë edhe emigrantë të kthyer për pushime, kërkonin llogari për mungesën e ujit, drejtuesit vendorë hynë në teatër nga dera e pasme për të vijuar aktivitetin, gjest që u perceptua si shpërfillje e hapur ndaj qytetarëve.

Opozita lidh drejtpërdrejt përgjegjësinë politike me vendimin për kalimin e ndërmarrjes së ujësjellësit në varësi të qeverisë qendrore, një proces i shtyrë nga Belinda Balluku dhe i miratuar nga mazhoranca socialiste në Këshillin Bashkiak, pavarësisht kundërshtimeve dhe paralajmërimeve të opozitës. Pas këtij vendimi, tarifat e ujit u rritën, ndërkohë që shërbimi u përkeqësua.

Denoncimet shkojnë më tej. Përveç përgjegjësisë për përmbytjet e tetorit 2024 në Vlorë – për të cilat KLSH ka evidentuar abuzime flagrante – opozita flet edhe për zhdukjen e një tubacioni me vlerë rreth 400 mijë euro, i cili, sipas tyre, “nuk gjendet fare”.

Në këtë kontekst, opozita i kujton Ballukut deklaratën e saj të mëparshme, ku menaxhimin e ujësjellësit të Vlorës e ka cilësuar si “grup të strukturuar kriminal”, duke i bërë thirrje që kjo dosje të përfshihet në hetimet e SPAK.

Sipas këshilltarëve opozitarë, Vlora është një qytet i bekuar me burime natyrore dhe ujë, por është lënë peng i keqmenaxhimit dhe abuzimeve që, sipas tyre, arrijnë shifrën e rreth 1 miliard eurove investime të shpërdoruara ndër vite. Ndërkohë, lagjet e qytetit vijojnë të mbeten me rrugë të shkatërruara, projekte të papërfunduara dhe fshatra të tëra në Novoselë që furnizohen me ujë me orar ose fare.

“Qytetarët e Vlorës kërkojnë vetëm ujë dhe zgjidhje. Kriza nuk ka ardhur sot, por është prodhuar nga vjedhja dhe keqmenaxhimi shumëvjeçar”, përfundoi Gunbardhi.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.