Vorë, falsifikonin etiketat e produkteve të skaduara
Arrestohen administratori dhe magazinieri

Policia e Shtetit ka goditur një tjetër rast abuzimi me sigurinë ushqimore, duke finalizuar operacionin e koduar “Siguria Ushqimore” në zonën e Vorës.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, në bashkëpunim me Komisariatin Nr. 7, arrestuan në flagrancë administratorin e subjektit tregtar “Master AL”, Florenc Domi, 38 vjeç, dhe magazinierin Agim Domi, 58 vjeç.
Sipas njoftimit zyrtar, në ambientet e subjektit u zbulua një magazinë ku falsifikoheshin etiketat e produkteve ushqimore të skaduara, të cilat më pas hidheshin sërish në treg si produkte të freskëta. Hetimet zbuluan se kompania kishte si aktivitet import-eksportin dhe tregtimin e produkteve ushqimore e industriale, të cilat i grumbullonte nga tregjet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, duke falsifikuar datat e skadencës pa dokumentacion tatimor.
Gjatë operacionit u sekuestruan 716 koli dhe dhjetëra kilogramë mallra ushqimore të përpunuara, me afat skadence në janar dhe shkurt 2025, të cilave u ishin falsifikuar etiketat për t’u hedhur sërish në treg.
Përveç arrestimeve, janë proceduar penalisht edhe shtetasit S. T., 56 vjeç, ortak në subjektin tregtar, si dhe A. D., 36 vjeç, shofer i magazinës. Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme, për një sërë veprash penale, përfshirë: “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësim i paligjshëm”, si dhe “Importi, prodhimi, shitja, ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



