E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
VOA: Zaçaj zgjidhet kryetare e Gjykatës Kushtetuese, por me mandat të cunguar
Publik News

VOA: Zaçaj zgjidhet kryetare e Gjykatës Kushtetuese, por me mandat të cunguar

Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese, zgjodhi sot, në raundin e tretë të votimit, kryetaren e re të saj, Holta Zaçajn, e cila mori një shumicë prej 5 votash.

Ajo vihet në drejtimin e Gjykatës, pas vetëm më pak se një muaj eksperiencë si anëtare e saj, dhe me një mandat të cunguar.

Sipas ligjit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ka një mandat 3 vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Por zonja Zaçaj, nuk do të mund ta ushtrojë të plotë mandatin e fituar sot, pasi në vitin 2025, asaj i përfundon mandati si anëtare e Gjykatës.

Ajo u zgjodh si e tillë në janar, duke marrë pjesën e mbetur të mandatit të zonjës Vitore Tushe, e vetmja, nga anëtarët që i mbijetoi procesit të vettingut, dhe qëndroi në detyrë deri në plotësimin e Gjykatës me të 9 anëtarët e saj të rinj.

Në garë për kreun e Kushtetueses ishin dhe dy anëtare të tjera të gjykatës, Fiona Papajorgji dhe Mariana Semini. Në dy raundet e para asnjë prej emrave në garë, nuk kishte marrë shumicën e kërkuar prej të paktën 5 votash.

Madje në votimin e dytë, të premten e shkuar, të tre kandidatet, morën nga 3 vota secila, ndërsa sot, duket se dy nga votat që kishin qenë për zonjën Semini, i kaluan zonjës Zaçaj. Anëtarja Semini mori vetëm një votë, ndërsa zonja Papajorgji ruajti 3 votat që kishte marrë më parë.

Zonja Zaçaj, 47 vjeçe, vjen nga sistemi i avokaturës, me një angazhim dhe si eksperte ligjore, kryesisht në fushën e së drejtës familjare dhe asaj të fëmijëve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.