E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vota e diasporës dhe administratës, frika e vetme e Ramës për mandatin e katërt
Lajme

Vota e diasporës dhe administratës, frika e vetme e Ramës për mandatin e katërt

Në fjalimet e tij në diasporë, Edi Rama kërkon një mandat të katërt si kryeministër duke shitur propagandë të përsëritur mbi reformat dhe drejtësinë. Duke kërkuar votat e shqiptarëve të larguar nga vendi, Rama duket se po përpiqet të shfrytëzojë dy asete të rëndësishme në zgjedhjet e 2025-ës: administratën dhe diasporën, të vetmit që ende mund t’i ofrojnë një avantazh.

Në takim me shqiptarët në New York, Rama nuk la pa përmendur “arritjet” e qeverisë së tij, duke përmendur arrestimet e disa prej figurave politike të larta, përfshirë Berishën dhe Metën. Ai u mburr se ishte Reforma në Drejtësi, e promovuar nga Partia Socialiste, që i dha “goditjen vdekjeprurëse” kulturës së pandëshkueshmërisë. Por a është vërtet kështu?

Në thelb, Rama po përpiqet të kapitalizojë punën e SPAK-ut për kredo politike. Ndërsa SPAK përballet me një varg sfidash dhe dyshimesh mbi pavarësinë e tij, Rama e përdor atë si armën kryesore për të bindur diasporën se vetëm PS-ja mund të luftojë korrupsionin. Fjalimet e tij ngjasojnë me një përpjekje të fundit për t’i dhënë frymëmarrje një drejtësie që ndër vite ka vuajtur nga kapja politike.

Një tjetër aspekt që bie në sy është përpjekja e Ramës për të krijuar një imazh të lavdishëm për Shqipërinë, duke përshkruar vendin si të rilindur nën drejtimin e tij. Ai deklaron se “vjen erë shtet” dhe se gjithçka është transformuar nën udhëheqjen e tij. Por faktet tregojnë një realitet krejt ndryshe: Shqipëria është në krizë emigrimi, ku të rinjtë, të zhgënjyer nga mungesa e perspektivës dhe punësimit, vazhdojnë të largohen masivisht. Varfëria dhe papunësia janë ende plagë të përditshme për shumë shqiptarë, dhe progresi ekonomik që ai pretendon mbetet shpesh i paprekshëm për qytetarët e thjeshtë.

Edi Rama është i vetëdijshëm se drejtësia dhe diaspora janë kartat që do të përpiqet të luajë për zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, përdorimi i SPAK-ut si një vegël politike për t’i dhënë vetes kredibilitet është një përpjekje e rrezikshme, e cila vetëm sa thellon dyshimet mbi drejtësinë e vërtetë në vend. Ndërsa në Shqipëri SPAK po përballet me skandale të njëpasnjëshme dhe mungesë besimi, përpjekja e Ramës për të shpërndarë këtë propagandë në diasporë është një dëshmi e dëshpërimit të tij për të ruajtur pushtetin.

Diaspora dhe administrata mbeten asete të rëndësishme për të, por shqiptarët janë gjithnjë e më të ndërgjegjshëm për të vërtetën që fshihet pas premtimeve të tij. Nëse Rama mendon se do të mund të mashtrojë më tej qytetarët me propagandë, realiteti i hidhur i politikës shqiptare do t’i kthehet në bumerang.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.