Vota për Ballukun trazon Brukselin, mesazhi i fortë nga BE-ja
“Pa luftë reale kundër korrupsionit s’ka integrim për Shqipërinë”
Delegacioni i Bashkimit Europian ka reaguar pas vendimit të Parlamentit të Shqipërisë për të mos miratuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në qëndrimin zyrtar, përfaqësuesit e BE-së theksojnë se janë informuar për rezultatin e votimit të zhvilluar në Kuvend dhe rikujtojnë se respektimi i shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit mbeten elemente kyçe në procesin e integrimit europian të vendit.
Sipas mesazhit të delegacionit, funksionimi i pavarur dhe efektiv i institucioneve të drejtësisë është një kusht i domosdoshëm për avancimin e reformave dhe për ruajtjen e besimit në sistemin e drejtësisë.
Në këtë kontekst, BE nënvizon rëndësinë që institucionet përgjegjëse të garantojnë kushte të plota pune për Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në mënyrë që kjo strukturë të mund të ushtrojë detyrat e saj pa pengesa dhe me efikasitet të plotë.
Sipas delegacionit europian, përparimi real i Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimi Evropian lidhet drejtpërdrejt me rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Reagimi vjen pas debatit të fortë politik që shoqëroi votimin në Kuvend lidhur me kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut, një zhvillim që ka tërhequr vëmendjen edhe të partnerëve ndërkombëtarë.
“Bashkimi Evropian është në dijeni të rezultatit të votimit të sotëm në Parlamentin e Shqipërisë.
Angazhimi ndaj shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit janë të një rëndësie thelbësore për procesin e anëtarësimit në BE.
Sigurimi i një mjedisi të përshtatshëm që SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij është thelbësor për të mbështetur në mënyrë të besueshme progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në reagim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



