Vrasja e çiftit Mujeci në Lezhë, arrestohet 40-vjeçari
Një zhvillim i ri është shënuar në lidhje me ngjarjen e rëndë të 26 prillit 2026 në fshatin Balldren, ku humbën jetën bashkëshortët Kreshnik dhe Gentiana Mujeci. Autoritetet kanë vënë në pranga një 40-vjeçar të dyshuar për përfshirje indirekte në këtë krim të rëndë.
Bëhet fjalë për shtetasin Besnik Kolndreu, i cili u arrestua në Mal të Zi, pas një operacioni të koordinuar mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve malazeze. Ai akuzohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar autorët e vrasjes pas kryerjes së saj.
Sipas burimeve zyrtare, Kolndreu është lokalizuar dhe kapur në qytetin e Ulqinit, falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit mes strukturave ligjzbatuese të dy vendeve. Menjëherë pas arrestimit, ai është deportuar drejt Shqipërisë përmes Pikës së Kalimit Kufitar Muriqan, ku iu dorëzua Policisë Kufitare shqiptare.
Më pas, 40-vjeçari është shoqëruar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, të cilat kanë vijuar me procedurat për ndalimin e tij, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lezhës që kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”.
Nga hetimet paraprake rezulton se Kolndreu ka luajtur një rol kyç në fshehjen e provave, duke strehuar në banesën e tij automjetin e përdorur nga autorët pas kryerjes së krimit. Ky automjet është zbuluar dhe sekuestruar nga policia gjatë kontrolleve të ushtruara në kuadër të hetimeve intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ngjarja e Balldrenit, ku u vranë me armë zjarri dy bashkëshortët, ka tronditur opinionin publik dhe vijon të jetë në fokus të autoriteteve, të cilat po punojnë për identifikimin dhe kapjen e të gjithë personave të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



