Vrasja e Emiljano Ramazanit, Erion Alibej tregon rolin e Xhuliano Hoxhës
I penduari i drejtësisë, Erion Alibej, ka dhënë dëshmi të rëndësishme në GJKKO lidhur me rolin e Xhuliano Hoxhës në vrasjen e Emiljano Ramazanit, ngjarje e ndodhur më 20 korrik 2020. Sipas asaj çka shkruan panorama, Alibej ka treguar gjatë pyetjeve të avokatit të Xhuliano Hoxhës se Nuredin Dumani nuk njihte Emiliano Ramazanin.
“Unë ia kam treguar. I kam thënë se kush është. I kam dhënë informacione edhe për Elio Bitrin. Ne nuk kishim një plan konkret. Nuk kishim një listë. Shikonim dhe e vlerësonim si do vepronim? Emiliano Ramazani ka qenë njëri i afërt i Talo Celës, i Mikael Qoses e vëllezërve Çopja. Kisha informacione pa fund për të,” ka deklaruar Alibej.
I penduari ka sqaruar gjithashtu se ditën e ekzekutimit të Ramazanit ka komunikuar në mënyrë të vazhdueshme me Xhulianon përmes kanaleve të sigurta të komunikimit SKY ECC. “Emiliano rrinte gjatë në palestër. Nga dita kur u nisëm për ekzekutimin e tij e deri sa ai doli nga palestra, Xhuliano ka qenë gjithë kohës aktiv. Ka qëndruar aty dhe kemi folur bashkë në vijimësi në SKY ECC. Për mua ishte i besueshëm informacioni. Ditën e ekzekutimit vetëm ai ka qenë informator,” citohet të ketë thënë Alibej sipas asaj që raporton më tej panorama.
Gjithashtu, i penduari ka treguar detaje për pagesat që lidhen me këtë ngjarje: “Për vrasjen e Emiliano Ramazanit kam komunikuar me Nuredinin. Duhet të çoja pagesën tek rrethi tek TEG. Kam dërguar Arsen Preçin atje me c. Mesa mbaj mend ka shkuar një vajzë me taksi atje, që ka marrë lekët. Xhulianon e kam paguar gjatë gjithë kohës,” sipas dëshmisë së tij.
Kjo dëshmi shton peshën e akuzave dhe ndihmon hetimet lidhur me organizimin e vrasjes së Emiljano Ramazanit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



