Vrasja e Santiago Malkos, Apeli i GJKKO vulos dënimin e Ilir Selmanit
Apeli i Posaçëm kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi dënimin me 28 vite burg për Ilir Selmanin, i shpallur fajtor për përfshirje në vrasjen e ish-efektivit të Policisë së Shtetit, Santiago Malko.
Vendimi vjen pas rigjykimit në Apel, i cili u zhvillua me urdhër të Gjykatës së Lartë. Gjatë këtij procesi, Prokuroria e Posaçme (SPAK) kërkoi që të mos ndryshohej masa e dënimit, duke argumentuar se provat e administruara mbështesin plotësisht fajësinë e të pandehurit.
Sipas hetimeve, Selmani konsiderohet pjesë e një grupi kriminal të njohur si “Klani Duka”, i cili dyshohet se organizoi dhe realizoi atentatin ndaj Malkos në gusht të vitit 2019, në zonën e Xhamllikut në Tiranë. Ngjarja tronditi opinionin publik dhe u konsiderua si një nga ekzekutimet më të bujshme të viteve të fundit.
Materialet hetimore tregojnë se Selmani ka pasur rol aktiv në planifikimin dhe zbatimin e sulmit, duke bashkëpunuar me anëtarë të tjerë të grupit. Zbardhja e dinamikës së ngjarjes është ndihmuar edhe nga komunikimet e siguruara përmes aplikacionit të koduar “SkyECC”, të cilat kanë shërbyer si prova kyçe në proces.
Santiago Malko rezultonte një person me lidhje të afërta me Ervis Martinajn, figurë e njohur në botën e lojërave të fatit, i cili rezulton i zhdukur prej gushtit 2022 dhe ende nuk ka një version zyrtar për fatin e tij.
Hetimet sugjerojnë se vrasja e Malkos lidhet me përplasjet mes grupeve rivale kriminale të asaj periudhe. Në të njëjtin proces gjyqësor janë dënuar edhe disa persona të tjerë, të konsideruar pjesë e të njëjtit grup, përfshirë Leonard Dukën, Fatmir Hysenin, Aleksandër Maxhakun, Dritan Agën dhe Oltian Logën.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



