E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
3 herë tentuan ta eliminojnë, kush është i ‘famozi’ Inez Hajrulla
Lajme

3 herë tentuan ta eliminojnë, kush është i ‘famozi’ Inez Hajrulla

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me Inez Hajrulla dhe mikun e tij Ervis Matodashaj, të cilët dyshohet se i kanë shpëtuar operacionit të fundit të zhvilluar nga SPAK në zonën e Orikumit. Operacioni çoi në lëshimin e disa urdhër-arresteve për ngjarje të rënda kriminale dhe trafik droge.

Hajrulla, i njohur në Vlorë si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe i cilësuar shpesh si “i forti i qytetit”, rezulton të ketë shpëtuar nga të paktën tre atentate gjatë viteve të fundit. Sulmet ndaj tij janë regjistruar në vitet 2017, 2019 dhe 2023, ndërsa në dy rastet e fundit ai ndodhej në shoqërinë e Ervis Matodashajt.

Atentati i parë i njohur ndaj tij daton në vitin 2017, kur një sasi tritoli u vendos në një lokal në Vlorë që frekuentohej nga persona të njohur të botës së krimit, mes tyre edhe Edison Harizaj, i cili u vra në Durrës në vitin 2018.

Dy vite më vonë, në vitin 2019, Hajrulla dhe Matodashaj u qëlluan me breshëri armësh në zonën e njohur si “7 Pallatet Oslo” në Vlorë, një vend që konsiderohej si një nga pikat ku ata qëndronin shpesh. Nga të shtënat mbeti i plagosur aksidentalisht një qytetar, Dajko Canodemaj, i cili ndodhej në një lokal pranë vendit të ngjarjes.

Pas sulmit, autorët u larguan nga vendi i ngjarjes dhe më pas dyshohet se dogjën automjetin e përdorur në zonën e Babicës së Vogël. Për këtë atentat dyshohet se morën pjesë nëntë persona, ndërsa një nga të kërkuarit është Fatmir Hyseni, i cili përmendet gjithashtu si i dyshuar për vrasjen e Santiago Malko.

Një tjetër plan për atentat ndaj tyre dyshohet se u parandalua në gusht të vitit 2023 në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Në atë kohë u arrestua Amarildo Nikolli, i cili u kap me një pistoletë të pajisur me silenciator dhe me municion luftarak.

Sipas hetimeve, objektivi i mundshëm i sulmit ishin pikërisht Hajrulla dhe Matodashaj, ndërsa porositësi dyshohej të ishte Leonard Luzi, i cili u ekstradua nga Spanja në korrik të vitit 2024 dhe u dënua përfundimisht me 7.4 vite burg. Për këtë çështje u dënuan gjithashtu Amarildo Nikolli me 2.9 vite burg dhe Muharrem Koroveshi me 6.8 vite burg, ndërsa Erio Zejno vijon të jetë në kërkim.

Inez Hajrulla ka pasur edhe më herët përplasje me drejtësinë. Ai është arrestuar dy herë për armëmbajtje pa leje dhe është hetuar edhe për grabitjen e një kazinoje në vitin 2013, si dhe për zhdukjen e Elvis Troqe. Në vitin 2018, Gjykata e Vlorës e dënoi me dy vite burg për veprat penale “mosbindje ndaj policisë” dhe “armëmbajtje pa leje”, dënim që më pas u pezullua duke u vendosur në shërbim prove.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.