Vrasja me 2 viktima në Manzë, publikohet fotoja e Daniel Pepës
Është publikuar fotografia e 21-vjeçarit Daniel Pepa, i shpallur në kërkim nga policia lidhur me ngjarjen e rëndë në Manzë, ku mbetën të vrarë dy persona.
Dje në mëngjes, në zonën e Majës së Durrësit u gjet automjeti në pronësi të 21-vjeçarit. Pas kontrollit të policisë në mjet, u konstatua prania e një gjurme plumbi.
Ngjarja e ndodhur rreth orës 01:45 në Manzë, pranë një karburanti, rezultoi fatale për dy persona. Sipas informacioneve të policisë, një konflikt për motive të dobëta përfundoi me vrasjen e 33-vjeçarit Flori Paluçi dhe 23-vjeçarit Arianit Kurti, të dy banues në të njëjtin fshat.
Hetimet paraprake dyshojnë se Paluçi është qëlluar për vdekje nga Daniel Pepa, ndërsa Kurti dyshohet se është vrarë nga vetë Paluçi gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Pas ngjarjes, Daniel Pepa është shpallur në kërkim nga autoritetet, të cilat po kryejnë kontrolle intensive për kapjen e tij. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Paluçi ishte i skeduar në Itali për vepra penale të ndryshme dhe më parë ishte i përfshirë në një grup grabitësish në atë vend.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, po punon intensivisht në vendngjarje për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes, identifikimin e të gjithë të përfshirëve dhe administrimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të plotë.
Sipas burimeve, një nga viktimat dhe një person tjetër kishin shkuar në një lokal pranë karburantit dhe kishin kërkuar nga kamerieri të përgatiste një kafe. Ky i fundit u përgjigj se ekspresi ishte fikur, çka çoi në një debat mes viktimave dhe kamerierit. Konflikti u përshkallëzua kur një person që ndodhej në lokal ndërhyri në këtë debat.
Nga hetimet mësohet se kamerieri nuk ka qenë pjesë e përleshjes së armatosur dhe nuk ka pësuar asnjë lëndim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



