Vrasja në Manzë, Daniel Pepa rrëfen vrasjen e Florian Paluçit
Daniel Pepa, i dyshuari për vrasjen e Florian Paluçit në Manzë rreth një muaj më parë, ka deklaruar se ka hapur zjarr vetëm për t’u mbrojtur. Sipas tij, gjithçka ndodhi pasi Paluçi ishte personi i parë që qëlloi me pistoletë, duke lënë të vdekur shokun e tij, Aranit Kurtin.
Këtë version të ngjarjes Pepa e ka paraqitur menjëherë pas vetëdorëzimit në Prokurorinë e Durrësit, që po heton vrasjen e dyfishtë të ndodhur në mesnatën e 22 tetorit 2025. Më pas ai është shoqëruar në komisariat, ku gjatë marrjes në pyetje ka theksuar se nuk kishte zgjidhje tjetër, pasi, sipas tij, nëse nuk do kundërpërgjigjej, Paluçi do ta vriste ashtu siç vrau edhe shokun e tij.
Të dy grupet ishin të armatosura atë natë dhe konflikti, sipas hetimeve, nisi për një debat krejt banal: ekspresi i fikur i kafe-barit, çka bëri që kamarieri të mos arrinte t’u shërbente.
Në prani të avokatit dhe oficerëve të policisë gjyqësore, Pepa ka argumentuar se ka reaguar në gjendje të rënduar psikologjike dhe në kushtet e vetëmbrojtjes, duke pretenduar se Paluçi ishte i pari që hapi zjarr, duke i marrë jetën shokut të tij dhe duke rrezikuar të sulmonte edhe atë.
Megjithatë, burime të hetimit thonë se prova kyçe mbeten pamjet filmike, të cilat kanë fiksuar të gjithë dinamikën e ngjarjes. Sipas këtyre pamjeve, Florian Paluçi është ai që qëllon i pari, fillimisht një herë në tokë. Më pas ai kthen armën drejt Daniel Pepës dhe shtie në drejtim të tij, por pa arritur ta godasë.
Në ato momente, Aranit Kurti, shoku i Danielit, që ndodhej pranë Paluçit, e godet këtë të fundit me grusht në fytyrë dhe përpiqet të largohet me vrap. Por Paluçi e ndjek dhe e qëllon nga pas me një plumb që i depërton trupin dhe i prek zemrën, duke e lënë të vdekur në vend.
Në kaosin e krijuar, Daniel Pepa hap zjarr vetëm një herë, duke e qëlluar Paluçin nga pas. Ky i fundit bën disa lëvizje të pavetëdijshme, bie në tokë dhe humb jetën.
Menjëherë pas ngjarjes, Pepa largohet së bashku me Ergi Kadiun, Erald Canin, Taulant dhe Emirjan Beqjen, teksa grupi rikthehet për pak minuta në vendin e krimit, përpara se Pepa të zhdukej përfundimisht. Ai nuk u kap nga policia, por vendosi të vetëdorëzohet disa ditë më vonë në Prokurorinë e Durrësit.
Pritet që sot ose nesër ai të dalë para Gjykatës së Durrësit për t’u njohur me masën e sigurisë, ku prokuroria pritet të kërkojë “arrest me burg”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



