Vrau babë e bir, arrestohet në Itali 28-vjeçari shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtarë
Një 28-vjeçar shqiptar, është arrestuar në Itali ditën e sotme, pasi rezultonte në kërkim, i dënuar me burg për vrasjen e dy personave në Elbasan.
Ngjarja për të cilën është dënuar 28-vjeçari ka ndodhur në vitin 2012, ku viktima mbetën babë e bir, Nezir e Gentian Beqiraj në vitin 2012.
Gentjan Beqiri u ekzekutua në banesë në vitin 2012, teksa ruhej nga policët, pasi ishte në “arrest shtëpie”. Në gusht 2012 gjykata kishte vendosur për të ‘arrest shtëpie’, ku e ruanin dy policë, por hasmi arriti të futet brenda, në sy të policisë, e ta vrasë në gjumë.
Në atë kohë fillimisht u tha se babai i viktimës, dëshmitar i vetëm i ngjarjes, pësoi atak kardiak dhe vdiq një orë pas ngjarjes, pasi nuk mundi ta përballojë traumën që i shkaktoi vrasja e të birit. Por më pas Prokuroria sqaroi se babai kishte vdekur si pasojë e plagëve të marra. Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Qemal Stafa” të Elbasanit.
Njoftimi i plotë i policisë:
Vijon operacioni policor “KRASTA”
Kapet në Itali, autori i dyshuar i vrasjes, kryer në bashkëpunim, të dy shtetasve babë e bir, ndodhur në vitin 2012 në Elbasan.
Gjatë paradites së sotme, si rezultat i bashkëpunimit të Task-Forcës Speciale, në Departamentin e Policisë Kriminale, DVP Elbasan, Interpol Tiranës me Zyrën Ndërlidhëse të Oficerëve Italianë në vendin tonë dhe me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi në Rimini të Italisë, i shtetasit shqiptar në kërkim ndërkombëtar:
- C., 28 vjeç, banues në Elbasan.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendim penal nr. 480, datë 12.06.2019, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake”, në lidhje me vrasjen e shtetasit G. B., (alias A. M.,) dhe të babait të tij shtetasit N. B., ngjarje e ndodhur më datë 15.08.2012 në lagjen “Çlirimi” Elbasan.
Task – Forca Speciale kishte marrë informacione në rrugë operative, se ky shtetas fshihej në Itali dhe falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit mes Interpol Tirana dhe Interpol Romës, si dhe Zyrës Ndërlidhëse të Oficerëve Italianë në vendin tonë, paraditen e sotme u bë e mundur kapja e tij, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë
Në kuadër të operacionit “Krasta”, më 14 qershor u arrestuan dhe u ndaluan 10 persona, si dhe u shpallen në kërkim 5 shtetas të tjerë, ndër ta edhe shtetasi i kapur sot në Itali.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




