E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vuçiç në paranojë, akuzon Shqipërinë, Kosovën dhe Kroacinë për protestat
Bota

Vuçiç në paranojë, akuzon Shqipërinë, Kosovën dhe Kroacinë për protestat

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka hedhur akuza të forta ndaj vendeve fqinje të rajonit, përfshirë Shqipërinë, duke pretenduar se ato kanë mbështetur dhe nxitur protestat antiqeveritare që janë zhvilluar në Serbi gjatë dy viteve të fundit.

Në një deklaratë publike, Vuçiç tha se demonstratat në vend nuk kanë qenë vetëm reagim i brendshëm qytetar, por se sipas tij janë ndihmuar nga aktorë rajonalë dhe shërbime sekrete të vendeve fqinje. “Sigurisht, kishte shumë njerëz që dilnin në rrugë dhe ata mbështeteshin shumë nga vendet rajonale dhe shërbimet sekrete rajonale. Kjo nuk është një sekret i madh, për t’ju thënë të vërtetën, për këdo”, u shpreh ai.

Kreu i shtetit serb përmendi veçanërisht Kroacinë, duke e akuzuar për përfshirje në zhvillimet e brendshme në Serbi, por theksoi se sipas tij një rol edhe më aktiv kanë pasur Shqipëria dhe Kosova. Vuçiç pretendoi se autoritetet kroate po strehojnë persona nga Serbia të kërkuar për vepra të rënda penale, ndërsa shtoi se zhvillime të rëndësishme, sipas tij, kanë ndodhur edhe në Prishtinë dhe Tiranë.

Presidenti serb ngriti akuza edhe ndaj disa organizatave amerikane, përfshirë USAID dhe Fondin Kombëtar për Demokraci (NED), duke pretenduar se ato kanë trajnuar individë për të vepruar kundër qeverisë së tij dhe për ta rrëzuar atë. I pyetur nëse disponon prova konkrete për këto pretendime, Vuçiç deklaroi se ka mjaftueshëm, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Serbia është përballur me protesta të vazhdueshme gjatë dy viteve të fundit, të cilat u intensifikuan pas një aksidenti të rëndë hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona. Demonstratat, të udhëhequra kryesisht nga studentë dhe të mbështetura nga qytetarë të shumtë, kanë kërkuar hetim të plotë për ngjarjen, reforma politike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.