Vuçiç në paranojë nga aleanca Shqipëri–Kosovë–Kroaci
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka shprehur shqetësim të fortë për bashkëpunimin në rritje mes Shqipëria, Kosova dhe Kroacia në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Duke folur për mediat nga Mynihu, në margjinat e Konferenca e Sigurisë në Mynih, Vuçiç tha se Beogradi pret ende një shpjegim për arsyet e krijimit të asaj që ai e konsideron një aleancë ushtarake mes tri vendeve.
Sipas tij, bashkëpunimi mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit përbën një kërcënim serioz për Serbinë dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në strategjinë e saj të mbrojtjes.
“Me formimin e një aleance ushtarake të Kroacisë me Prishtinën dhe Tiranën, ne ndihemi seriozisht të rrezikuar dhe do ta trajtojmë këtë çështje me shumë seriozitet. Së shpejti do të marr pjesë në mbledhjen e Shtabit të Përgjithshëm dhe të Ministrisë së Mbrojtjes dhe do të vizitoj fabrikat e industrisë ushtarake. Do të investojmë shuma të mëdha shtesë në industrinë tonë të mbrojtjes”, deklaroi Vuçiç.
Ai shtoi se Serbia planifikon të rrisë ndjeshëm prodhimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake, duke theksuar se rreth 30 deri në 40 për qind e prodhimit do të destinohet drejtpërdrejt për nevojat e ushtrisë serbe.
Në mars të vitit të kaluar, Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nënshkruan një deklaratë bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, e cila synon forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në Evropën Juglindore. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, ministrat e mbrojtjes të tri vendeve kanë zhvilluar takime për zbatimin e saj dhe për koordinimin e projekteve të përbashkëta.
Pas një takimi të gjeneralëve të ushtrive më 11 shkurt, u njoftua se tri shtetet do të organizojnë edhe stërvitjen e tyre të parë të përbashkët ushtarake gjatë këtij viti.
Vuçiç e ka cilësuar këtë bashkëpunim si një aleancë ushtarake me karakter “sulmues” ndaj Serbisë dhe serbëve në rajon.
Presidenti serb ndodhet në Mynih për të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare të sigurisë, ku marrin pjesë qindra liderë botërorë, diplomatë dhe zyrtarë të lartë. Në mesin e pjesëmarrësve është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Konferenca e këtij viti fokusohet në të ardhmen e aleancës transatlantike dhe në përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës, ndërsa zhvillimet në Ballkan mbeten pjesë e diskutimeve për sigurinë rajonale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



