E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Padia e Meral sh.p.kndaj Altin Dumanit, SPAK del me reagim zyrtar
Lajme

Padia e Meral sh.p.kndaj Altin Dumanit, SPAK del me reagim zyrtar

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dhënë një reagim zyrtar lidhur me padinë e depozituar në Itali nga kompania “Meral” sh.p.k. ndaj prokurorit Altin Dumani. Institucioni thekson se nuk ka qenë i përfshirë në hetimet e zhvilluara nga autoritetet italiane dhe se procedimi penal është trajtuar në mënyrë të pavarur nga Prokuroria e Veronës.

Sipas sqarimit zyrtar, SPAK nuk ka ndërmarrë asnjë veprim hetimor në këtë çështje, përfshirë marrje në pyetje, sekuestrime apo kërkesa për sekuestrim. Institucioni bën të ditur se është vënë në dijeni për ekzistencën e procedimit penal në Itali vetëm në maj të vitit 2026, pasi autoritetet italiane kishin depozituar tashmë kërkesën për arkivim.

Në lidhje me përfshirjen e prokurorit Altin Dumani, SPAK thekson se i vetmi element që e lidh atë me bashkëpunimin ndërkombëtar është nënshkrimi i një dokumenti institucional, në cilësinë e drejtuesit të institucionit, për ngritjen e një skuadre të përbashkët hetimore (JIT). Ky bashkëpunim është iniciuar nga pala italiane në kuadër të një hetimi të tyre penal.

Reagimi i SPAK vjen pas publikimeve në media, të cilat i referoheshin burimeve nga Verona. Institucioni sqaron se shtetasi Petrit Çela ka paraqitur kërkesa për përjashtimin e prokurorit Dumani nga një procedim penal në Shqipëri, duke përdorur si argument ekzistencën e kallëzimit në Itali. Këto kërkesa janë shqyrtuar dhe janë rrëzuar si të pabazuara në ligj dhe prova.

Nga dokumentacioni rezulton se në Prokurorinë e Veronës është regjistruar një procedim penal për veprën e “shpifjes”, bazuar në kallëzimin e bërë nga Petrit Çela ndaj Altin Dumanit. Megjithatë, pas analizës së akteve, autoritetet italiane kanë kërkuar arkivimin e çështjes. Kundërshtimi i paraqitur nga kallëzuesi ka çuar në caktimin e një seance gjyqësore për shqyrtim të mëtejshëm.

SPAK nënvizon se prokurori Dumani nuk ka qenë pjesë e grupeve hetimore në asnjë prej procedimeve të lidhura me këtë çështje, si në Itali ashtu edhe në Shqipëri. Roli i tij është kufizuar vetëm në aspektin administrativ dhe institucional, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në përfundim, institucioni thekson se nga analiza e fakteve rezulton një lidhje e drejtpërdrejtë mes kallëzimit të bërë në Itali dhe interesave familjare të kallëzuesit në një çështje penale që po hetohet në Shqipëri, duke sugjeruar përdorimin e këtij kallëzimi si mjet procedural për të ndikuar në procesin hetimor.

Reagimi i SPAK:

Duke marrë shkak nga disa lajme dhe artikuj të publikuar në disa nga mediat vendase, të cilat i referohen burimeve të mediave lokale të Verona-s në Republikën e Italisë, sqarojmë opinionin publik si vijon :

Shtetasi Petrit Çela i është drejtuar Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, më 20.05.2026 dhe më 18.06.2026, me kërkesë për përjashtimin e prokurorit Altin Dumani nga procedimi penal nr. 193/2023, ku janë të proceduar penalisht të pandehurit Marjus Lulaj dhe Mario Çela (familjarët e shtetasit Petrit Çela), procedim penal në të cilin prokurori Altin Dumani ushtron funksionin e prokurorit të çështjes.

Në mbështetje të kërkesës për përjashtim, shtetasi Petrit Çela ka paraqitur pikërisht faktin e kallëzimit penal të ngritur në Verona, Itali. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme pasi ka vlerësuar kërkesën e paraqitur dhe aktet ku ajo është mbështetur, me vendimin e datës 19.06.2026 ka vendosur “Mospranimin e kërkesës”, si e pambështetur në ligj dhe në prova.

Nga dokumentacioni i paraqitur nga shtetasi Petrit Çela rezulton se në Prokurorinë e Republikës pranë Gjykatës së Veronës, Itali, është regjistruar procedimi penal nr. R.G.N.R. 3514/2026 – R.G. GIP 2877/2026, për veprën penale të “Shpifjes” (calunnia), të parashikuar nga neni 368 i Kodit Penal italian, mbi bazën e një kallëzimi të paraqitur nga shtetasi Petrit Çela ndaj prokurorit Altin Dumani, i cili ka ushtruar funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nga data 19 dhjetor 2022 deri më 19 dhjetor 2025.

Prokuroria e Republikës pranë Gjykatës së Veronës, pas shqyrtimit të akteve, ka paraqitur më datë 21.04.2026 kërkesë për arkivim (richiesta di archiviazione) të procedimit penal, e depozituar më 14.05.2026. Ndaj kësaj kërkese, personi që ka paraqitur kallëzimin penal Petrit Çela ka paraqitur kundërshtim (opposizione) më 11.05.2026, çka ka çuar në caktimin e një seance gjyqësore pranë Seksionit GIP/GUP të Gjykatës së Veronës.

Nga aktet e administruara rezulton se, i vetmi element i identifikuar që lidh prokurorin Altin Dumani me bashkëpunimin ndërkombëtar në fjalë është nënshkrimi, në cilësinë e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, i një shkrese institucionale, më datë 11.07.2024, si dhe i një Marrëveshjeje, më datë 26.08.2024, për krijimin e një Skuadre të Përbashkët Hetimore (JIT) mes Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorisë së Republikës pranë Gjykatës së Veronës, nismë e ardhur nga vetë autoritetet italiane në kuadër të procedimit penal nr. 10792/2023.

Prokurori Altin Dumani nuk ka qenë pjesë e grupit hetimor të procedimeve penale nr.10792/2023 (Itali) dhe nr.123/2024 (Prokurori e Posaçme), nuk ka kryer veprime hetimore, marrje në pyetje, sekuestrime apo kërkesë për sekuestrim, si dhe ka marrë dijeni për ekzistencën e procedimit penal në Itali vetëm në muajin maj 2026, pra pas paraqitjes së kërkesës për arkivim nga ana e Prokurorisë italiane.

Nga kronologjia e sipërpërmëndur rezulton lidhja ndërmjet kallëzimit të paraqitur në Itali dhe interesit të drejtpërdrejtë familjar që kallëzuesi Petrit Çela ka në procedimin penal nr.193/2023 të Prokurorisë së Posaçme, si dhe përdorimi i vetë faktit të kallëzimit penal si bazë procedurale për kërkesën e përjashtimit të prokurorit të çështjes.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.