Ylli Manjani: ‘Nesti Angoni’ është deputet i fuqishëm, e kam me fakte
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka bërë deklarata të forta gjatë një interviste në emisionin “Now”,ku është ndalur te situata brenda Partisë Socialiste dhe ajo që ai e cilëson si krizë kushtetuese në vend.
Sipas Manjanit, në Partinë Socialiste mungon debati i hapur dhe përplasjet zhvillohen në mënyrë të tërthortë, larg syrit publik.
Ai solli si metaforë një figurë të shpikur, për të ilustruar, sipas tij, mënyrën se si funksionojnë konfliktet e brendshme në këtë forcë politike.
“Debati në Partinë Socialiste është i përjetshëm dhe ata nuk bëjnë debat të hapur. Nuk zihen kështu si zihen burrat. Është gjithmonë luftë pas krahëve. Partia Socialiste, grupi parlamentar që ia kemi veshur Belindës, por nuk është e vërtetë, ka shpikur Nesti Angonin. Është deputet ai Nesti Angoni. Sot e kësaj dite, dyshimi im i arsyeshëm më ka çuar të mendoj ta besoj, bazuar edhe në fakte, por që nuk jam i autorizuar t’i them tani, është që Nesti Angoni është gjallë dhe i fuqishëm. Kanë shpikur Nesti Angonin pra për t’ia futur njëri-tjetrit pas krahëve me letra anonime. Kjo është beteja, ky është muhabeti. Kjo po ndodh aty dhe ajo që është shqetësuese nuk është problemi se kush ia fut kujt, sepse ata s’ia fusin askujt. Nuk kanë takat as me fut, as me ia nxjerrë njeriut atë”, u shpreh Manjani.
Në vijim, ai e përshkroi situatën në vend si një “katrahurë kushtetuese”, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si funksionojnë institucionet.
“Askush sot në Parlamentin e Shqipërisë nuk bën një debat, qoftë edhe një letër anonime, sepse kanë frikë ta bëjnë debat për katrahurën kushtetuese ku gjendet shteti. Ne nuk kemi një republikë me tre pushtete. Kemi një shtet me tre republika. Këto janë secila republikë më vete. Ai SPAK-u është më vete. Këta të parlamentit janë më vete. Qeveria është mbi të gjitha. E kupton? Gjykata s’merret vesh. Një katrahurë, një faqe e zezë aty. KLP-ja, KLJ-ja, çanë ata pesticidet e tjera. Janë ca hajvane atje, e kupton? Njëri më hajvan se tjetri, pa pikë përgjegjësie. S’merr kush përgjegjësi për asgjë që ndodh në këtë vend. Dhe të gjithë na intereson çfarë tha Spiropali”, tha ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



