Dje është marrë zvarrë secili prej nesh!
Manjani shpërthen për ngjarjen në Zvërnec: Banditizëm! Askush nuk mund të ndalojë qytetarët në plazhe
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar ashpër pas pamjeve të publikuara nga Zvërneci, ku një qytetar u dhunua teksa tentonte të kalonte drejt plazhit.
Në një reagim të fortë publik, Manjani thekson se asnjë ligj në Shqipëri nuk ndalon aksesin e lirë të qytetarëve në plazhe, duke e cilësuar këtë të drejtë si të padiskutueshme.
“Plazhi është pronë publike e patjetërsueshme. Nuk mund të privatizohet në asnjë formë. Ndërtimet mund të jenë private dhe duhen respektuar, por hapësira e plazhit i përket qytetarëve”, shprehet ai.
Sipas tij, çdo përpjekje për të bllokuar kalimin drejt vijës bregdetare përbën shkelje të hapur të ligjit. Ai thekson se as rojet private dhe as autoritetet nuk kanë të drejtë të pengojnë qytetarët të shfrytëzojnë plazhet publike.
Duke iu referuar incidentit konkret, Manjani e cilëson dhunën ndaj qytetarit si një akt të rëndë penal.
“Marrja zvarrë e një qytetari vetëm pse kërkon të hyjë në plazh është banditizëm i pastër dhe i dënueshëm nga ligji penal”, deklaron ai.
Ai shkon më tej duke kritikuar reagimin e Policisë së Shtetit, e cila sipas tij nuk ka vepruar në përputhje me situatën.
“Policia duhet të kishte arrestuar në flagrancë autorët e dhunës dhe jo të mjaftohej me procedime penale”, thekson Manjani.
Në fund të reagimit të tij, ai nënvizon se ndërsa investimet private duhet të mbrohen, kjo nuk mund të ndodhë duke cenuar hapësirat publike dhe të drejtat themelore të qytetarëve.
“Dhuna ndaj qytetarëve për të uzurpuar hapësira publike është e papranueshme. Në atë skenë është marrë zvarrë simbolikisht secili prej nesh”, përfundon reagimin e tij Manjani.
Reagimi i plotë:
Asnjë ligj apo nënligj i shkruar nuk ndalon kalimin e njerëzve në plazh.
Plazhi është pronë publike e patjetërsueshme. Pra nuk bëhet private. Ndërtimet në brendësi janë pronë private që duhen mbrojtur respektuar. Por plazhi është publik dhe pikë!
Asnjë roje, polic, kadi apo ç’të jetë nuk mund të ndalojë njerëzit të kalojnë e të plazhiten lirisht në plazhet e Republikës së Shqipërisë. Kjo është e padiskutueshme!
Akti i marrjes zvarrë të një qytetari pse donte të kalonte në plazhin publik është banditizëm. E dënueshme nga çdo ligj penal në vend.
Policia e Shtetit duhet t’i arrestonte në flagrancë banditet privatë dhe jo të mjaftohej me “proçedimin penal”.
Investimi privat duhet mbrojtur, pa asnjë dyshim. Por marrja me dhunë e hapësirës publike dhe për këtë shkak dhuna ndaj qytetarëve të lirë është e dënueshme. Policia e shtetit duhet të ruajë publiken dhe publikun në këto kushte.
Është marrë zvarrë secili prej nesh nga ato banditë privatë, në atë skenë makabre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



