E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zbardhet projekti 10.7 milionë euro për të sëmurët mendorë
Lajme

Zbardhet projekti 10.7 milionë euro për të sëmurët mendorë

Qeveria ka ndërmarrë një hap konkret drejt reformimit të trajtimit të personave me probleme të shëndetit mendor që ndodhen nën masën e mjekimit të detyruar me vendim gjykate. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka hapur zyrtarisht procedurën e tenderit për ndërtimin e një spitali të posaçëm brenda Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Shënkoll, Lezhë. Investimi kap vlerën e rreth 1.07 miliardë lekëve, ose afro 10.7 milionë euro, dhe do të financohet nga buxheti i shtetit.

Tenderi është shpallur më 31 korrik 2026, ndërsa afati për dorëzimin e ofertave nga operatorët ekonomikë është caktuar deri më 31 gusht.

Sipas dokumentacionit teknik, projekti parashikon ndërtimin e një strukture moderne spitalore, e dedikuar për trajtimin e individëve për të cilët gjykata ka vendosur masa mjekimi të detyruar. Ky model synon të largohet nga praktika aktuale e trajtimit të tyre në ambiente të sistemit penitenciar, duke krijuar kushte më të përshtatshme për kujdes shëndetësor dhe rehabilitim, pa cenuar standardet e sigurisë.

Godina do të ndërtohet brenda territorit të IEVP Shënkoll, në një sipërfaqe që varion nga 6 mijë deri në 6.250 metra katrorë dhe do të zhvillohet deri në katër kate. Projekti përfshin pavijone trajtimi, ambiente ndihmëse dhe infrastrukturë teknike të projektuar sipas standardeve bashkëkohore për institucione shëndetësore me siguri të lartë.

Nga ana konstruktive, objekti do të realizohet me strukturë monolite prej betoni të armuar, në përputhje me standardet europiane Eurocode, duke garantuar qëndrueshmëri të lartë ndaj lëkundjeve sizmike. Për shkak të karakteristikave të terrenit në zonë, është parashikuar themelim me pllakë të përgjithshme betoni me trashësi deri në 80 centimetra për godinën kryesore.

Materialet që do të përdoren janë të standardeve të larta, përfshirë betonin e klasës C30/37 dhe çelikun B-500S. Projekti përfshin gjithashtu masa të posaçme për mbrojtjen nga lagështira, korrozioni dhe deformimet sizmike, duke marrë në konsideratë kushtet gjeologjike të zonës së Shënkollit.

Ndërtimi i këtij spitali vjen si përgjigje ndaj kritikave të vazhdueshme të Avokatit të Popullit, i cili ndër vite ka evidentuar problematika serioze në trajtimin e kësaj kategorie, përfshirë mbipopullimin dhe mungesën e kushteve dinjitoze në ambientet ekzistuese. Institucioni ka rekomanduar krijimin e një strukture të specializuar që të garantojë trajtim të përshtatshëm dhe standarde të mirëfillta shëndetësore.

Me realizimin e këtij projekti synohet një ndryshim thelbësor në qasjen ndaj trajtimit të personave me probleme të shëndetit mendor, duke kaluar nga një model i orientuar drejt izolimit në një model që vendos në qendër kujdesin mjekësor dhe rehabilitimin.

Objekti është klasifikuar si një ndërtesë me rëndësi të veçantë publike dhe është projektuar për funksionim të pandërprerë, siguri maksimale dhe jetëgjatësi, në përputhje me standardet europiane për ndërtesa spitalore dhe infrastruktura kritike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.