E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zbardhet sherri në Këshillin e Sigurisë/ Visho Ajazi-Tahirit: Në Ministrinë tuaj dekonspirohet informacioni
Lajme

Zbardhet sherri në Këshillin e Sigurisë/ Visho Ajazi-Tahirit: Në Ministrinë tuaj dekonspirohet informacioni

Një vit pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë për kanabisin, Partia Demokratike zyrtarizoi kërkesën për deklasifikimin e mbledhjes dhe publikimin e të dhënave të raportuara në këtë mbledhje. Policia, Ministria e Brendshme, por dhe vetë qeveria tashmë kanë pranuar problematikën me kanabisin, kryesisht përgjatë vitit 2016, por PD insiston për publikimin e të dhënave që janë raportuar në këtë mbledhje. Mbledhja u zhvillua më 11 nëntor të vitit të shkuar me kërkesë t ëish-Presidentit të Republikës dhe mbështetjen e ish-kreut të LSI, aktualisht President i Republikës, Ilir Meta. Në kulmin e debatit për këtë çështje, Mapo ka mundur të zbardhi disa nga debatet me tone të larta në këtë mbledhje. Të pranishëm kanë qenë drejtuesit e institucioneve kryesore, kreu i opozitës dhe mbledhja drejtohej nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Kulmi i debateve në mbledhje ka ardhur pas raportimit t ëish-kreut të SHISH, Visho Ajazi Lika i cili ka lexuar për të pranishmit të dhëna të sakta sipas tij mbi implikimin e zyrtarëve të policisë në kultivimin e kanabisit. Po ashtu kreu i SHISH, ka treguar për sipërfaqet e kanabisit të kultivuar në mbarë vendin dhe për këtë situatë ka bërë përgjegjëse Policinë e Shtetit. Sipas të dhënave mësohet se SHISH ka qenë insitucioni i vetëm që ka referuar në prokurori të dhëna për implikimin e drejtuesve të lartë të policisë në kultivimin dhe mbrojtjen e parcelave të kanabisit.

Pikërisht ky moment ka sjellë reagimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri tashmë nën hetim për trafikim kanabisi në formën e grupit të struktuaruar kriminal, i cili i është drejtuar ish-kreut të SHISH me fjalët: Ju po luani lojë politike. “Për gjithçka thatë në këtë mbledhje nuk keni sjellë asnjë informacion në Ministrinë e Brendshme”, mësohet t’i jetë drejtuar Tahiri ish-kreut të SHISH. Menjëherë i është përgjigjur Ajazi i cili duke ju drejtuar Tahirit ka thënë: “Nuk mund të sjellë informacione në Ministrinë e Brendshme, pasi zyrtarë të ndryshëm të ministrisë tuaj mund të dekonspirojnë informacionin.” Ish-ministri i Brendshëm ka reaguar sërish por me tone të larta, duke bërë që Presidenti i Republikës të ndërhyjë për të qetësuar situatën.

Por ky moment nuk e ka qetësuar aspak situatën, pasi ish-ministri i Brendshëm, sërish me tone të larta i është drejtuar Presidentit të Republikës me fjalët: “Ju po luani lojën e Sali Berishës. Situata që paraqiti kreu i SHISH, nuk është aspak e tillë.” Por Presidenti i ka kërkuar sërish të qetësohet, ndërsa në debat ka ndërhyrë dhe ish-ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e cila i është kundërvënë Presidentit të Republikes.

Aktualisht ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si i dyshuar për trafik ndërkombëtar narkotikësh në bashkëpunim me grupin e Habilajve. Ndërsa ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli është akuzuar publikisht nga opozita për fikjen e radarëve që monitorojnë detin në rastet e trafikut në narkotikëve. Të dyja këto çështje po hetohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë.
Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.