Zbulohen 5 “shtëpi bari” në Lezhë, dy persona në pranga
Një aksion i gjerë antidrogë i zhvilluar nga policia dhe i koduar “Lightning” ka çuar në zbulimin e një rrjeti të mirëorganizuar për kultivimin e kanabisit në fshatin Velë, në Lezhë. Operacioni, i ndërtuar mbi hetime disa javore dhe informacione të siguruara në rrugë operative, nxori në pah pesë ambiente të përshtatura posaçërisht për këtë aktivitet të paligjshëm.
Gjatë ndërhyrjes, efektivët arrestuan në flagrancë dy persona të dyshuar si organizatorë të këtij aktiviteti. Bëhet fjalë për një 39-vjeçar, pronar i banesës ku zhvillohej kultivimi, dhe një 27-vjeçar nga zona e Ishull Shëngjinit.
Kontrollet e ushtruara në banesë zbuluan një ambient të brendshëm të pajisur me teknologji të avancuar për rritjen e bimëve narkotike. Në këtë hapësirë ishin kultivuar 119 bimë kanabisi, të cilat ushqeheshin përmes ndriçimit artificial dhe sistemeve të posaçme, të furnizuara me energji elektrike përmes lidhjeve të jashtëligjshme. Dy ambiente të tjera brenda të njëjtës pronë rezultuan të përgatitura për të njëjtin qëllim.
Në vijim të kontrollit në terren, policia identifikoi edhe dy parcela në afërsi të banesës, ku u gjetën dhe asgjësuan 55 bimë të tjera Cannabis Sativa, duke e çuar në total numrin e bimëve të sekuestruara në 174.
Operacioni çoi gjithashtu në sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme provash materiale, përfshirë dy armë gjahu, pajisje elektrike të përdorura për kultivim, një automjet, një sasi lënde të dyshuar narkotike dhe një numër të madh telefonash celularë. Vetëm në banesën e 27-vjeçarit u gjetën 16 celularë, për të cilët autoritetet po hetojnë mbi origjinën dhe përdorimin e tyre.
Në kuadër të të njëjtit hetim, janë përfshirë edhe katër punonjës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Ata dyshohet se kanë lehtësuar aktivitetin përmes shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit pasiv, duke mundësuar furnizimin e paligjshëm me energji.
Hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet kriminal, ndërsa materialet i janë dorëzuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme procedurale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



