Zbulohet ‘fabrika’ e kanabisit me mbi 1400 bimë në Divjakë
Sekuestrohen 44 kg drogë
Një ambient i përshtatur për tharjen dhe përpunimin e kanabisit është zbuluar nga Policia në Divjakë, ndërsa gjatë operacionit janë sekuestruar 44 kilogramë lëndë narkotike dhe janë konstatuar të kultivuara 1426 bimë kanabis.
Operacioni është zhvilluar në kuadër të kontrolleve intensive në territorin e qarkut Fier, të kryera nga toka dhe nga ajri me dronë. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Divjakë dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, finalizuan operacionin e koduar “Koordinimi”.
Gjatë ndërhyrjes, në vendin e quajtur “Rezervuari i Divjakës”, në një tokë shtetërore, u zbulua ambienti i përshtatur për tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike. Në këtë hapësirë u gjetën 37 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje, si dhe 7 kilogramë lëndë në formë boçesh. E gjithë sasia u sekuestrua në cilësinë e provës materiale për kryerjen e ekspertimeve përkatëse.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” për tre punonjës të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura në qarkun Fier. Bëhet fjalë për shtetasit E. T., 33 vjeç, me detyrë përgjegjës sektori, F. H., 37 vjeç, specialist menaxhimi dhe G. A., 53 vjeç, roje.
Ndërkohë, vijon puna në drejtimin e Prokurorisë së Fierit për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier bën me dije se kontrollet intensive do të vijojnë si nga ajri me dronë, ashtu edhe nga toka, me qëllim parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve.
Policia e Shtetit apelon për bashkëpunimin e qytetarëve, duke i inkurajuar ata të denoncojnë çdo rast paligjshmërie pranë strukturave policore ose në numrin pa pagesë 112.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



