Zbulohet letra e fundit e 25-vjeçares, autopsia zbuloi shenja dhune
“Më kanë bërë keq, s’dua të më lëndojnë më”
Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik pas vdekjes tragjike të 25-vjeçares Xhuana Nikollaj, e cila dyshohet se i ka dhënë fund jetës duke konsumuar fostoksinë, ndërsa familjarët pretendojnë se ajo ishte viktimë e dhunës nga partneri i saj.
Sipas informacioneve paraprake, familja e të resë ka bërë kallëzim në Policinë e Shtetit, konkretisht në Komisariatin e Policisë Nr. 2, ndaj bashkëshortit të saj, Eraldo Fizi, duke pretenduar se ai ushtronte dhunë ndaj saj në mënyrë të vazhdueshme.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se në trupin e 25-vjeçares janë konstatuar shenja dhune, një fakt që sipas të dhënave paraprake është evidentuar edhe nga ekspertiza mjeko-ligjore. Pas këtyre zhvillimeve, policia e ka shpallur bashkëshortin në kërkim për veprat penale “dhunë në familje” dhe “shkaktim i vetëvrasjes”.
Forcat e policisë kanë ushtruar kontrolle edhe në banesën e tij në Lezhë, por ai nuk është gjetur. Ndërkohë, autoritetet vijojnë kërkimet për lokalizimin e tij, pasi pritet të merret në pyetje lidhur me akuzat dhe pretendimet e ngritura nga familjarët e viktimës.
Sipas të afërmve, Xhuana Nikollaj kishte lënë edhe një letër para se të ndërmerrte aktin ekstrem. Në të, ajo i kërkonte ndjesë prindërve dhe shprehte dhimbjen për situatat e vështira që, sipas saj, po përjetonte.
“Nuk doja më që ata njerëz që më kanë bërë keq të vazhdonin të më lëndonin”, kishte shkruar ajo në mesazhin e lënë për familjen.
25-vjeçarja jetonte në Shëngjin dhe kishte përfunduar studimet për drejtësi. Lajmi për ndarjen e saj nga jeta ka shkaktuar reagime të shumta edhe në rrjetet sociale, ku miq dhe të njohur kanë shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet për humbjen e saj të parakohshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



