Zgjedhjet/ Ja sa shpenzuan partitë e kandidatët në rrjete sociale
Shifra marramendëse
Raporti i publikuar dje nga OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 majit ka hedhur dritë mbi një aspekt shpesh të fshehur të fushatave shqiptare, atë të shpenzimeve astronomike për reklama politike në rrjetet sociale. Vetëm gjatë një muaji fushatë zyrtare, partitë dhe kandidatët shpenzuan deri në 217,870 euro për promovim në Facebook dhe Instagram, sipas të dhënave të librarisë zyrtare të Meta.
Shifrat tregojnë një realitet shqetësues për transparencën: Partia Demokratike ka shpenzuar 27,950 euro, Partia Uniteti për të Drejtat e Njeriut 11,940 euro, ndërsa Lëvizja “Shqipëria Bëhet” vetëm 4,990 euro. Mes kandidatëve individualë, Agron Shehaj kryeson me 19,430 euro, i ndjekur nga Belind Këlliçi me 7,770 euro dhe Vullnet Sinaj me 7,620 euro.
Raporti i ODIHR vë në dukje “keqpërdorimin e rrjetit të gjerë patronazhues” dhe shpërndarjen e postimeve, duke sinjalizuar përdorimin e mjeteve partiake jashtë kontrollit të rregullave të ligjit.
Ekspertët paralajmërojnë se shpenzimet reale mund të jenë edhe më të larta, pasi palët e treta shpesh paguajnë reklama për llogari të subjekteve politike, duke krijuar një zonë gri jashtë monitorimit ligjor.
Sipas raportit:
“Këto boshllëqe krijojnë shtigje për përdorimin potencial të fondeve të paligjshme dhe të pagjurmueshme, duke lejuar anashkalimin e rregullave në fuqi. Autoritetet duhet të rregullojnë fushatat online dhe të përcaktojnë mekanizmat e raportimit dhe sanksionimit.”
Megjithatë, raporti vlerëson zgjedhjet si të qeta, konkurruese dhe të mirëorganizuar, duke nënvizuar njëkohësisht problemet e mëdha me përdorimin e burimeve shtetërore dhe administratës, që favorizojnë pabarazi mes partive.
Shifrat e publikuara ngrenë një pyetje të hapur: a mund të quhen zgjedhje të lira dhe të barabarta kur shuma e parave të shpenzuara për marketing online tejkalon çdo standart të arsyeshëm dhe shpesh nuk mund të gjurmohen plotësisht?
| Subjekt / Kandidat | Shpenzimet (euro) |
|---|---|
| Total | 217,870 |
| PD | 27,950 |
| PBDNJ | 11,940 |
| Shqipëria Bëhet | 4,990 |
| Agron Shehaj | 19,430 |
| Belind Këlliçi | 7,770 |
| Vullnet Sinaj | 7,620 |
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



