Zjarr i fuqishëm në Fushë-Arrëz, flakët kërcënojnë pyjet e Iballës
Një vatër e fuqishme zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore në zonën e Iballes, në bashkinë Fushë-Arrëz, duke u shtrirë mbi lagjen Gere dhe duke vënë në rrezik serioz pasuritë natyrore dhe ekonominë pyjore të aksit Iballe–Mëzi.
Terreni i thepisur dhe kushtet e vështira malore kanë penguar ndërhyrjen direkte të forcave zjarrfikëse pranë vatrës aktive. Për këtë arsye, ekipet janë pozicionuar në qendër të Njësisë Administrative, ndërsa gjatë natës beteja me flakët është përballuar kryesisht nga banorët e zonës dhe punonjësit e shërbimit pyjor, të cilët kanë përdorur mjete rrethanore për të frenuar përhapjen.
Për shkak të përmasave të mëdha që ka marrë zjarri dhe rrezikut të përhapjes së mëtejshme, autoritetet kanë kërkuar mbështetje ajrore nga Forcat e Armatosura. Ndërhyrja me helikopter pritet të jetë vendimtare për izolimin e perimetrit dhe vendosjen nën kontroll të situatës.
Të dhënat paraprake sugjerojnë se zjarri ka shpërthyer fillimisht në një zonë me shkurre, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e një zjarrvënieje të qëllimshme. Hetimet janë në vijim për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



