Zjarr në Libofshë, flakët rrezikojnë serat dhe stallat
Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë zonën pranë kanaleve vaditëse në fshatin Ndërnenas të Libofshës, duke u përhapur me shpejtësi në sipërfaqe të konsiderueshme bujqësore.
Flakët kanë përfshirë disa parcela të kultivuara, mes tyre edhe toka me ullinj, ndërsa situata paraqitet problematike për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit.
Sipas raportimeve, flakët po afrohen drejt serave diellore, stallave të bagëtive dhe hambarëve ku fermerët ruajnë bazën ushqimore për kafshët.
Në terren ndodhen forcat zjarrfikëse të Fierit, të cilat po ndërhyjnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Puna e tyre po vështirësohet nga era, e cila favorizon përhapjen e zjarrit në zonat bujqësore.
Ndërhyrja vijon, ndërsa mbetet në fokus frenimi i avancimit të flakëve drejt serave, stallave dhe objekteve të tjera në pronësi të fermerëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



