Zjarr në një magazinë bujqësore në Savër të Lushnjës
Një incident me zjarr është regjistruar në zonën e Savrës, në bashkinë Lushnjë, ku flakët përfshinë një magazinë bujqësore, duke shkaktuar alarm te banorët përreth.
Sipas informacioneve paraprake nga vendngjarja, zjarri është përhapur me shpejtësi brenda ambienteve të magazinës, duke rrezikuar përkohësisht edhe banesat që ndodhen pranë kompleksit. Situata ka krijuar panik te familjarët në zonë, të cilët kanë kërkuar ndihmë të menjëhershme.
Në reagim të shpejtë, në vendin e ngjarjes mbërritën dy autoambulanca nga Spitali i Lushnjës, të cilat asistuan personat e pranishëm që shfaqën shqetësime si pasojë e situatës dhe stresit të krijuar.
Paralelisht, shërbimet zjarrfikëse të Bashkisë Lushnjë ndërhynë me dy mjete për shuarjen e flakëve, duke bërë të mundur izolimin në kohë të vatrës së zjarrit. Falë ndërhyrjes së tyre, u arrit të parandalohej përhapja e mëtejshme e flakëve drejt zonave të banuara.
Fatmirësisht, nga të dhënat e deritanishme nuk raportohet për persona të lënduar. Megjithatë, zjarri ka shkaktuar dëme materiale në magazinën bujqësore.
Autoritetet vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në shpërthimin e zjarrit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



