Zjarret në Shqipëri/ 44 vatra në 24 orë, 14 ende aktiv
Ministria e Mbrojtjes ka bërë publike bilancin më të fundit sa i takon situatës së zjarreve në territorin e Shqipërisë, ku gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar dhjetëra vatra në qarqe të ndryshme.
Sipas të dhënave zyrtare, në harkun kohor të 24 orëve janë raportuar 44 vatra zjarri. Prej tyre, 14 vatra vijojnë të jenë aktive, 9 të tjera janë vendosur nën mbikëqyrje, ndërsa 21 janë arritur të shuhen.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 636 forca vendore, të mbështetura nga 67 automjete zjarrfikëse. Në operacione janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura, me 329 efektivë, mjete të ndryshme dhe kapacitete ajrore.
Në ndërhyrjet nga ajri janë zhvilluar 6 operacione me helikopterë, ndërsa janë përdorur gjithashtu një avion Air Tractor dhe një dron për monitorimin dhe mbështetjen e operacioneve në zonat e prekura.
Shkodër, disa vatra vijojnë aktive
Në qarkun e Shkodrës situata vijon të kërkojë ndërhyrje në terren dhe nga ajri. Një nga vatrat aktive është ajo në aksin Bardhaj–Myselim, ku po punohet me forca tokësore dhe mjete ajrore.
Në këtë zonë janë angazhuar 71 efektivë dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura.
Vatra zjarri vijojnë të jenë aktive edhe në Mnelë të Vogël, Naraç dhe malin e Tërbunit, ku janë vendosur në dispozicion edhe 50 forca ushtarake.
Ndërkohë, zjarri në Bërdicë është futur nën mbikëqyrje dhe, sipas informacionit të fundit, nuk përbën rrezik për banesat.
Tiranë, flakët aktive në Dajt, Kavajë dhe Selitë e Malit
Në qarkun e Tiranës vijojnë të jenë aktive disa vatra zjarri, konkretisht në Malin e Dajtit, Kryezi të Kavajës dhe Selitë e Malit.
Për situatën në Dajt janë angazhuar 82 efektivë dhe një helikopter i Forcave të Armatosura, ndërsa për ndërhyrjen në Kryezi është përdorur edhe një avion Air Tractor.
Dibër, disa vatra ende në terren
Edhe qarku i Dibrës vijon të jetë i prekur nga zjarret. Vatra aktive raportohen në Vajkal, Lundre–Madhesh, Qafën e Helmes dhe Cerrujë.
Për përballimin e situatës në Lundre–Madhesh është angazhuar edhe mbështetja e Forcave të Armatosura.
Lezhë, ndërhyrje me forca tokësore dhe ajrore
Në qarkun e Lezhës mbeten aktive vatrat në Gallatë dhe në zonën Kalivaç–Zimaj–Kashnjet.
Në këtë të fundit operacionet po zhvillohen me angazhim të shtuar, ku janë vendosur 63 efektivë dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura.
Nga të dhënat e raportuara deri në këto momente, nuk rezulton që banesat në zonë të jenë në rrezik të drejtpërdrejtë.
Berat, një vatër aktive dhe një e shuar
Në qarkun e Beratit vijon të jetë aktive vatra në Vokopolë.
Ndërkohë, zjarri që kishte përfshirë lagjen Kala është shuar dhe nuk paraqet më problem operacional.
Situata në qarqet e tjera
Në qarqet e tjera të vendit, situata paraqitet më e stabilizuar krahasuar me zonat ku zjarret vijojnë aktive.
Disa vatra janë shuar, ndërsa të tjera janë vendosur nën monitorim në qarqet Korçë, Elbasan, Vlorë, Durrës, Fier dhe Kukës.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin e vendit, duke koordinuar ndërhyrjet me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera përgjegjëse për Mbrojtjen Civile.
Forcat dhe mjetet operacionale vijojnë të qëndrojnë në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme në zonat ku paraqitet nevoja.
Prioriteti i strukturave të angazhuara mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave, pasurisë, si dhe e mjedisit, në kushtet kur disa vatra vijojnë të jenë aktive në qarqe të ndryshme të vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



