E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zjarri ‘mbërtheu’ Krujën, përmirësohet situata, 2 vatra aktive
Lajme

Zjarri ‘mbërtheu’ Krujën, përmirësohet situata, 2 vatra aktive

Zjarri i favorizuar nga era u përhap me shpejtësi drejt zonave të banuara, ndërsa flakët iu afruan rreth 50 metra Spitalit të Krujës. Dy vatra vijojnë të jenë aktive, ndërsa ndërhyrja po vijon edhe nga ajri.

Për disa orë, Kruja u përfshi nga një situatë e rëndë për shkak të zjarrit masiv, ndërsa qindra banorë u detyruan të largoheshin nga banesat e tyre për shkak të rrezikut që flakët të përhapeshin në zonat e banuara.

Situata më kritike u regjistrua në Barabit dhe Lluban, ku zjarri, i favorizuar nga era e fortë, avancoi me shpejtësi. Qindra qytetarë u evakuuan, ndërsa disa prej tyre refuzuan të largoheshin nga banesat. Për shkak të rrezikut të madh, autoritetet u detyruan të ndërhynin për t’i nxjerrë nga zonat e rrezikuara.

Nën kërcënimin e flakëve u vu edhe Spitali i Krujës. Zjarri iu afrua rreth 50 metra godinës, duke detyruar autoritetet të evakuonin pacientët gjatë natës. Ata u transportuan drejt Tiranës për t’u mbajtur larg rrezikut.

Beteja me flakët vijoi për orë të tëra, ndërsa terreni i vështirë dhe përhapja e shpejtë e zjarrit e komplikuan ndjeshëm ndërhyrjen e forcave në terren.

Si pasojë e situatës, në pesë lagje u ndërpre energjia elektrike. Ndërkohë, strukturat vendore u angazhuan për strehimin e banorëve të evakuuar.

Gjatë gjithë natës, forcat zjarrfikëse dhe efektivët e Forcave të Armatosura kanë vijuar punën për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit.

Aktualisht, dy vatra vijojnë të jenë aktive. Për përballimin e situatës është aktivizuar edhe ndërhyrja nga ajri, me dy helikopterë që kanë nisur operacionin për shuarjen e flakëve dhe vënien e plotë të situatës nën kontroll.

Ndërkohë, Policia ka arrestuar Qemal Berhamin, i dyshuar për shkaktimin e zjarrit. Sipas Policisë, ai kishte ndezur barishte pranë banesës së tij, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar një pjesë të konsiderueshme të territorit të Krujës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.