E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
1 vit pas fadromave, Rama kthehet në Theth: Paketa e Maleve nuk anulohet
Lajme

1 vit pas fadromave, Rama kthehet në Theth: Paketa e Maleve nuk anulohet

Kryeministri zhvilloi një takim me aplikuesit e Paketës së Maleve, ndërsa protesta kundër nismës ka hyrë në ditën e 51-të. Ai mbrojti ligjin dhe kujtoi aksionin e shembjeve të ndërtimeve pa leje në verën e kaluar.

Një vit pasi Thethi u kthye në epiqendrën e aksionit të qeverisë për prishjen e ndërtimeve pa leje, kryeministri Edi Ramaështë rikthyer në fshatin turistik për të mbrojtur Paketën e Maleve, një nismë që prej më shumë se 50 ditësh po kundërshtohet nga protestuesit.

Në korrik të vitit 2025, pak javë pasi siguroi mandatin e katërt qeverisës, Rama nisi aksionin kombëtar për lirimin e territorit, duke zgjedhur Thethin si pikën e parë të ndërhyrjes. Aksioni u shoqërua me shembjen e dhjetëra bujtinave, hoteleve dhe objekteve pa leje, duke shkaktuar përplasje me banorët dhe reagime të forta publike në kulmin e sezonit turistik.

Pamjet e fadromave në një nga destinacionet më të frekuentuara turistike të vendit dominuan debatin publik për javë të tëra. Banorët e zonës akuzuan qeverinë se po dëmtonte ekonominë lokale në mes të sezonit, ndërsa ekzekutivi argumentoi se ndërhyrja ishte e domosdoshme për të ndalur ndërtimet pa leje dhe për të mbrojtur territorin.

Këtë herë, vizita e Ramës në Theth kishte një tjetër fokus. Kryeministri zhvilloi një bashkëbisedim me aplikues të Paketës së Maleve, të cilën qeveria e konsideron një instrument për zhvillimin ekonomik të zonave malore.

Vizita vjen në një kohë kur protesta kundër Paketës së Maleve ka hyrë në ditën e 51-të. Kundërshtarët e nismës kërkojnë shfuqizimin e saj, duke pretenduar se ajo krijon mundësi për tjetërsimin dhe shitjen e pronave në zonat malore. Qeveria i ka hedhur poshtë këto akuza.

Gjatë takimit, Rama deklaroi se qeveria nuk do të tërhiqet nga kjo nismë.

“Paketa e Maleve nuk është për uzurpatorë, as për biznesmenë që nuk kanë marrëveshje me ju, as për oligarkë. Është për të vënë në lëvizje ekonominë e trashëgimtarëve të pronave në territore ku toka nuk është ndarë sipas ligjit 7501 dhe për të krijuar mundësi zhvillimi aty ku turizmi është e vetmja alternativë”, u shpreh kryeministri.

Rama u ndal edhe te aksioni i verës së kaluar në Theth, duke thënë se vala e ndërtimeve pa leje nisi pas një keqkuptimi të mesazhit të tij për legalizimin e objekteve ekzistuese.

“Unë nuk kam ardhur këtu dhe kam thënë: vazhdoni dhe ndërtoni se i legalizojmë. Kam thënë se do të legalizojmë ndërtimet ekzistuese. Pas vizitës sime shpërtheu ndërtimtaria pa leje, me idenë se do të përfitonin edhe ata. U zaptua kartolina botërore e Thethit dhe kjo nuk mund të lejohej”, deklaroi Rama.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.