E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
20 shkurti, ende shqiptarët fshehin kokën si struci para të vërtetës
Flash

20 shkurti, ende shqiptarët fshehin kokën si struci para të vërtetës

20 Shkurti i 35 viteve më parë, sidomos për ne që e kemi përjetuar si një nga ato ngjarje që do spërkaste me ngjyra shprese errësirën e gjatë nën komunizëm, na dha idenë se e keqja s’mund të na merrte sërish përdore. Madje 20 Shkurti, më shumë se gjithçka, duhej të ishte një datë kujtese për të besuar se një popull mundet gjithnjë të zgjohet e të dëbojë të keqen, sado e madhe të jetë ajo.

Por, të gjithë e dimë se nuk ishte aspak e lehtë kjo përballje me të keqen gjatë gjithë këtyre viteve. As sot, edhe pse dimë shumë të vërteta për atë sistem çnjerëzor, duket qartë që nuk është e lehtë rruga për të pranuar të vërtetën e dhimbshme, apo, guximi për t’u penduar.
Ne që e kemi jetuar atë kohë, ato ngjarje, e kujtojmë faktin se, pavarësisht shumë ngjarjeve që kishin ndodhur në disa vende ish komuniste, sidomos në Rumani ku u vra publikisht Çaushesku, sërish në Shqipëri kishte shumë frikë për të kërkuar ndryshim. Dhe pikërisht këtu nisin pyetjet, pasi shumë nga ata, të cilët sistemi i kish formatuar në modelin vrastar- pra përfituesit e atij pushteti dhe ai që njihej si “Njeriu i Ri”-, ishin gati ende të bënin krimet që u kërkoheshin në emër të mbrojtjes së sistemit duke mos dashur e besuar se ai po rrëzohej.

Dhe ky kriminalizim i thellë vjen qartë kur faktet dhe dëshmitë tregojnë se në kufi janë kryer vrasje makabre edhe pasi kishin ndodhur ngjarjet e hyrjes në ambasada më 2 Korrik 1990 apo Lëvizja e Studentëve në Dhjetor ’90. Pra kanë ndodhur krime edhe kur ishte më se e qartë se nuk do kish kthim pas në atë sistem.
Mungesa e dekomunistizimit, mangësia e muzeve të hapura për krimet në diktaturë apo mosndryshimi i teksteve të historisë, i lanë hapësirën nostalgjikëve të kohës së diktaturës të shprehnin adhurim për atë kohë. Një nostalgji djallëzore pasi në mënyrë gati krimiale u kërkuan të harroheshin dëshmitë kur shqiptari që mendonte ndryshe vritej me dru, me hekur, me mbytje në ujin e kënetës, me uri, me pagjumësi, me punë jashtë fuqive njerëzore, me zhveshje lakuriq në netët e ftohta, ose i lidhur në shtylla mes acarit.

Gjyqet e munguara ndaj atij sistemi, ose më saktë, mungesa e një studimi për madhësinë e së keqes që kish mbjellë ai sistem, bënë që në shoqërinë shqiptare të rikthehej gjatë këtyre viteve tranzicioni ridiskutimi për “të mirat dhe të këqijat e komunizmit”, të cilat, në thelb, janë formë e talljes së hapur me shqiptarët, pasi janë vazhdimësi e kënetës të së keqes.
Nobelisti lituanezo-polak, Çesllav Milosh, që ka shkruar një nga rrëfimet më interesante për devijimin njerëzor nën udhëheqjen komuniste, ku kish kaluar edhe vetë disa vite në bashkëpunim me ta, e quante “mendja e robëruar” mendjen e prodhuar nga autocensura që pësojnë njerëzit nën një diktaturë.

Një autocensurë që e ndjejmë edhe sot kur flitet pak për gjërat që duhet të thuhen me zë të lartë për të vërtetat e shoqërisë.
Dhe në fakt, të gjitha llojet e diktaturave, kanë armën më të fortë autocensurën, atë frikën e njeriut për t’u dalë përballë të vërtetave. Ajo që Milosh e ka thënë për shoqërinë polake dhe për shumë shoqëri të tjera që ishin nën diktaturat komuniste, natyrisht që për Shqipërinë vlen me disa marshe më të larta se në ish-vendet e tjera komuniste në Europë, për shkak se diktatura shqiptare rezulton të ketë qenë më mizorja.
E megjithatë, shumica e atyre shoqërive që kaluan sistem të ngjashëm me Shqipërinë arritën të pohojnë me zë të lartë humbjen e vetvetes gjatë diktaturave që kaluan duke zgjidhur kështu edhe mjaft nga enigmat e deformimit të njeriut.

Ndërsa ne, si shoqëri, nuk bëmë asgjë më shumë se sa struci, që fsheh kokën para të së vërtetës. E tashmë, shkelmat e mungesës së guximit për të vërtetën, e mungesës së guximit për të pohuar atë regjim antihuman, vijojmë t’i ndjejmë në përditshmërinë tonë. E do t’i ndiejmë për aq kohë sa nuk do guxojmë të pranojmë të vërtetën e asaj që ndodhi me qytetarët e këtij vendi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.