21 mln euro Zotos për landfillin, vepra nuk është në funksion
Investimi prej gati 21 milionë euro për ndërtimin e landfillit të mbetjeve urbane në Sherishtë, ende nuk u shërben qytetarëve të Vlorës. Në landfill nuk hidhen ende mbetjet, ndërsa burime nga Bashkia e Vlorës thonë se ai nuk do të hapet as në 6 muajt e ardhshëm. Nga ana tjetër, plehrat depozitohen në lagjen “24 maji”, duke shkaktuar ndotje për mbi 500 familje
Ndërtimi i këtij landfilli ka kushtuar plot 20.8 milionë euro, ku gati 12 milionë euro janë marrë kredi nga Banka Gjermane për Zhvillim. Kompania fituese e ndërtimit të këtij landfilli u shpall disa vjet më parë, Integrated Technology Services me pronar Klodian Zoton, i cili tashmë është në kërkim për aferën e inceneratorëve ndërsa kompania e tij nën sekuestro.
Në landfillin e Sherishtës, puna ka ndaluar. Në të gjendet vetëm roja i objektit, ndërkohë që tabela e punimeve tregon se data 4 qershor e këtij viti ishte afati për vënien në funksion të landfillit.
Shtyrja e punimeve ka sjellë kolaps me pastrimin e mbetjeve në Vlorë. Ato vijojnë të depozitohen në brendësi të qyteti, duke shkaktuar ndotje për qindra familje.
Teksa landfilli miliona euro i Sherishtës nuk është ende gati, mbi 500 familje në lagjen “24 Maji” në Vlorë, do të vijojnë të përballen me ndotjen dhe kaosin e krijuar nga mbetjet urbane të qytetit./Syri tv
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



